Në aeroportin e Rinasit, të miturit nuk po lejohen të udhëtojnë jashtë vendit tek të afërmit e tyre ndonëse me prokurë të posaçme me pëlqimin e prindërve siç e parashikon ligji.

Sipas burimeve, ky urdhër i Drejtorisë së Përgjithshme të Kufirit ka sjellë probleme duke shkaktuar edhe dëm ekonomik për familjet që kishin parashikuar udhëtime për fëmijët e tyre.

Dhjetëra fëmijë janë kthyer pas ditët e fundit, ndërsa sipas burimeve ky urdhër lidhet me masat kundër azilkërkimit, pasi jo në pak raste të mitur shqiptarë janë braktisur në vendet e Bashkimit Europian, ku kanë kërkuar azil.

Nga fillimi i qershorit deri më tani kanë hyrë në territorin e Shqipërisë, vetëm nëpërmjet aeroportit të Rinasit rreth 145 mijë shtetas të huaj për qëllime turistike.

Së bashku me emigrantët që kthehen për pushime numri shkon në 256 mijë udhëtarë, ndërsa në një ditë mesatarisht në aeroportin ndërkombëtar të vendit zbresin 13 mijë shtetas.

Sipas autoriteteve këtë sezon ka një fluks shumë më të shtuar se vitin e kaluar. Këtë vit janë dyfishuar edhe linjat e charterave që vijnë në Shqipëri.

“Në raport me vitin e kaluar kemi një numër rreth 200 mijë pasagjerë që janë përpunuar në Aeroportin e Rinasit, më shumë sesa në vitin e kaluar, dhe sigurisht fluksi i turistëve, po ashtu paraqitet i shtuar”, Enkeleda Toska, Drejtore e kufirit dhe migracionit, Tiranë.

Policia Kufitare po shpërndan fletëpalosje të prodhuara enkas për turistët e huaj në gjuhën angleze dhe italiane, me gjithë informacionin e detajuar në rast se ata ndeshen me një problem apo kërkojnë ndihmë.

Top Channel