Donald Trump shkoi në Helsinki që të pastrojë emrin nga akuzat për bashkëpunim me rusët, por në fakt ai e ndoti më shumë, e madje e çoi dhe botën drejt një destabiliteti që dikur dukej i pamendueshëm.
Kanë kaluar 70 vite që nga hera e fundit kur aleanca e demokracisë perëndimore varej në mënyrë kaq të pasigurt midis kaosit dhe stabilitetit.
Teksa Trump qëndronte përkrah Putinit, pas takimit dy-orësh, dukej sikur secili prej tyre donte vetëm të mohonte që ishin njohur para se Trump të zgjidhej president.
Megjithatë, në një hutim që ndodh rrallë, Putini pranoi se kishte dashur që Trump të fitonte zgjedhjet e vitit 2016, për të cilat disa agjentë të tijtë po akuzohen se kanë ndërhyrë. “Po, doja”, tha ai para publikut të befasuar.
Ky nuk ishte një lëshim, por ndoshta një shpërthim (që nuk ka si ta ketë origjinën nga trajnimet e KGB, ku të mësojnë t’i kontrollosh emocionet) nga një punë e bërë mirë. Ai ka minuar kundërshtarin më të madh botëror, duke hapur krisje që do të vazhdojnë ta mbajnë Amerikën larg nga aleatët tradicionalë.
Teksa Putini largohej nga Helsinki, ministri i tij i jashtëm pasqyroi gjendjen shpirtërore të rusëve duke e quajtur këtë “një ditë madhështore, më mirë se fantastike”.
Vetëm pak ditë më parë, Donald Trump u ul në poltronën e Uinston Çërçillit, në shtëpinë ku lindi udhëheqësi britanik i kohës së luftës.
Ai mori një pozë që sugjeronte se po rijetonte çastet kur vendosmëria e Çërçillit ishte ajo që qëndroi midis kaosit dhe katastrofës.
Duket me vend të perifrazosh udhëheqësin më të dashur të Britanisë, për të kuptuar dështimin e Trumpit për të mbrojtur interesat kombëtare të SHBA-ve dhe të aleatëve të tjerë gjatë vizitës në Helsinki.
Nuk kishte ndodhur kurrë në fushën e samiteve presidenciale që një udhëheqës të jepte kaq shumë për të fituar aq pak në kurrizin e aq shumë njerëzve.
Kapitullimi i Trumpit ndaj gënjeshtrave të Putinit, të cilat u panë nga miliona njerëz në të gjithë botën, ka dhënë tronditje diplomatike përtej Uashingtonit.
Pak orë pas samitit, nga aleatët europianë të Trumpit pati një heshtje të çuditshme.
Po t’i kishte dalë kundër Putinit e ta paralajmëronte të mos i sulmonte më SHBA-të duke ndërhyrë sërish në zgjedhje, atëherë do të kishte pasur më shumë duartrokitje nga Londra e Berlini. Rusia vazhdon të akuzohet se ka ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tyre gjithashtu. Kur një mesazh jepet për një person, ai vlen për të gjithë.
Kur u nis nga Uashingtoni javën e shkuar, Trump tha se takimi me Putinin do të ishte më i lehti në Europë, më i lehtë se takimet me NATO-n apo Britaninë.
Askush nuk e përfytyronte se shtatë ditët e tij në Europë, duke fyer rëndë aleatët, që nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, e deri te kryeministrja britanike, Tereza Mej, do të përfundonin me topin e futbollit që mori dhuratë nga Putini e që tha se do t’ia jepte të birit.
Trump jo vetëm ka tradhtuar shërbimet sekrete amerikane (nuk vuri Amerikën të parën, por veten), por ka tradhtuar edhe aleatët.
Nëse nuk ka besim te shërbimet e tij informative, logjika të shtyn të mendosh se nuk mund t’i besojë as shërbimeve të inteligjencës në vendet aleate, as fjalëve që i thonë ata udhëheqës.
Si mund t’i japin SHBA-së tani informacione strategjike e të lidhura me sigurinë kombëtare, nëse Trump nuk kujdeset për të vetët, dhe kur ai nuk e ka idenë se ku po shkon?
Kjo nuk është Amerika me të cilën formuan partneritet.
Përplasjet e fundit për tarifat tregtare, komentet e tepruara nga SHBA-të gjatë kësaj fundjave, si “BE është armikja jonë”, tani shoqërohen edhe nga dorëzimi i integritetit diplomatik në këmbët e Putinit, që nga shumë veta do të duket si nisja e një rendi të ri botëror.
Ndërkohë që veprimet e Trumpit po shihen si të turpshme nga të dyja partitë në SHBA, aleatët e tij evropianë po nisin t’i kthejnë mendimet në veprime konkrete.
Te baza e NATO-s, Trump dha të kuptohet se kishte më shumë gjasa të bashkohej me qëndrimin e Putinit për aneksimin e paligjshëm të Krimesë në vitin 2014, se me aleatët e tij.
Kur u pyet në një konferencë për shtyp këtë të martë nëse do ta njihte Krimean si pjesë të Rusisë, Trump tha që kjo ishte pyetje interesante, sepse këtë e kishte lejuar Obama të ndodhte, që para se ai të vinte në pushtet.
Aleatët e tij e kishin dëgjuar këtë fjali edhe më parë, por ajo që erdhi më pas ishte më tronditëse: ideja e Trumpit se meqë Putini kishte shpenzuar parà në Krime, i takonte edhe vendi. “Sapo hapën një urë të madhe që kishin nisur ta ndërtonin që vite më parë. Më duket se ndërtuan dhe një port nëndetësesh, që kushtoi miliarda dollarë”, Trump tha për njerëzit në dhomë.
Pas një minute e pyetën: “Do ta merrni parasysh idenë e ndalimit të manovrave ushtarake në vendet e Baltikut?”
Kur Trump u takua muajin e shkuar me diktatorin koreano-verior, Kim Jong Un, në Singapor, ai i habiti aleatët koreano-jugorë duke i lëshuar pè Kimit, pa marrë asgjë si këmbim, e duke premtuar se do të ndalonin manovrat ushtarake.
Nëse do të merrej i njëjti qëndrim me NATO-n, kjo do të thoshte që SHBA-të do të tërhiqeshin nga manovrat ushtarake në vendet baltike, (Letonia, Lituania dhe Estonia).
Ato vende janë në vijën e frontit me Rusinë, dhe druajnë se ajo që ndodhi në Krime mund të ndodhë edhe me ata.
NATO ka forca ushtarake në të gjitha shtetet baltike, rreth 1000 trupa që mund të japin alarmin në rast se Rusia ndërhyn në territoret e tyre, siç ndodhi në Ukrainë. Në rast se do të ndodhte kjo, me dhjetëra mijëra forca të NATO-s, të cilat janë në gatishmëri nëpër Europë, do të angazhoheshin brenda 48 orëve. Kjo është domethënëse, por nuk mjafton në rast të një kërcënimi serioz nga Rusia.
Trump dha të kuptohet gjatë një konference për shtyp këtë të enjte se SHBA-të mund të mos i mbështesin më këto manovra të NATO-s. “Ndoshta do të flasim për të”, tha ai duke iu përgjigjur një pyetjeje.
Kjo përgjigje ka tronditur jo pak shtete baltike, të cilat i kanë shpëtuar shëmtisë së shtypjes sovjetike vetëm një çerek shekulli më parë.
Të nesërmen, kur foli përkrah kryeministres britanike, Tereza Mejit, Trump u pyet sërish për angazhimin ushtarak të SHBA-ve në Europë.
Përgjigjja e tij ishte: “Ka përfitime ushtarake dhe psikologjike. Por ka përfitim edhe po të mos e bësh”. Kjo nuk ishte aspak mbështetja që presin aleatët europianë të Amerikës, por ishte një arsye më shumë që të shqetësoheshin teksa ai nisej për në Helsiniki.
Angazhimi i trupave ushtarake, manovrat amerikane dhe Krimea u përmendën gjatë takimit të Trumpit dhe Putinit, por u lanë pa përmendur gjatë konferencës për shtyp.
Pasi nuk morën asnjë interpretim të pavarur për atë që u diskutua në dhomë, aleatët e Trumpit nuk mund të ndihen të siguruar që interesat e tyre janë marrë parasysh.
Që prej zgjedhjes së tij, vitin e shkuar, shumë prej aleatëve europianë kanë shfaqur shqetësim rreth ndikimit destabilizues në rendin botëror.
Në samitin e parë të emergjencës, ku BE diskutoi shqetësimet për Trumpin (që u mbajt menjëherë pas ceremonisë së përurimit të tij si president), kancelarja gjermane dhe presidenti francez thanë se Europa nuk mund të kishte më besim te udhëheqja amerikane.
Pakënaqësitë nga europianët vetëm sa janë rritur. Marrëveshja për klimën, tregtia, dhe tani siguria, janë krisje që po hapen për herë të parë pasi kanë qenë të mbyllura për 70 vite.
Gjatë këtyre dekadave, Amerika ka qenë një forcë stabilizuese me ndikim pozitiv ndaj përçarjeve europiane.
Nëse takimi i Helsinkit bëhet vërtet pika e kthesës kur kombet do të nisin të ndërmarrin veprime konkrete, dhe kur çmenduritë e Trumpit do t’i detyrojnë aleatët të përçahen, kjo pikë mund të gjykohet si çasti kur u krijua një rend i ri botëror, më pak i qëndrueshëm.
Nuk është arritja për të cilin njihet ky qytet i madh, që admirohet për përparimet me të drejtat e njeriut e me stabilizimin e marrëdhënieve globale.
Nic Robertson, CNN
Top Channel