Rama, mes Trumpit e Merkelit. “Der Spiegel” tregon prapaskenat e Samitit të NATO-s

16/07/2018 13:27

Gjermania ka qenë një prej aleateve më të ngushta të Uashingtonit. Por, Donald Trump e ka kthyer tani në shënjestrën e kritikave të tij, e kjo u pa qartë edhe te Samiti i NATO-s apo momentet përpara tij, kur presidenti amerikan iu lëshua hapur ekonomisë më të fuqishme euriopiane, duke e cilësuar si “robinjë të Rusisë”.

“Në fillim shtrëngoi duart me Angela Merkelin, sikur asgjë nuk kishte ndodhur, – shkruan “Der Spiegel”, – dhe pastaj filloi sulmi”.

Por, burime për Top Channel informojnë se presidenti amerikan Trump ka qenë shumë i ashpër me vendet anëtare të NATO-s në çeljen e Samitit të Brukselit. Trump i ka përmendur me radhë vendet, të cilat shpenzimet për mbrojtjen i kanë më pak se 2% të GDP-së.

Edhe pse kritikat kryesore kanë qenë në drejtim të Gjermanisë, Francës, Kanadasë dhe shteteve të tjera të mëdha, presidenti amerikan nuk ka kursyer as vendet e vogla. Përjashtim ka bërë Shqipëria, e cila në seancën e parë plenare nuk është renditur ndër vendet problematike për Trumpin.

Dita e parë e Samitit është mbyllur me darkën e udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s, ku diskutimet janë përqëndruar te Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani. Pikërisht për ndikimin rus në Ballkan mësohet të ketë folur edhe kryeministri Rama, i cili – sipas burimeve diplomatike nga Brukseli, – ka mbajtur një fjalë të shkurtër.

Rama mësohet të ketë thënë se çdo hapësirë boshe e lënë nga Perëndimi në Ballkan është një hapësirë që shfrytëzohet nga Rusia. Por, pikërisht kjo fjalë e kryeministrit Rama duket se është fiksuar nga presidenti amerikan, i cili në ditën e dytë të samitit, duke folur për ndikimin rus në Ukrainë dhe Gjeorgji, ka theksuar se i vetmi udhëheqës i aleancës që e kupton politikën e Shteteve të Bashkuara dhe e analizon siç duhet rolin e NATO-s është kryeministri shqiptar.

Madje, duke e kërkuar me sy në sallë, presidenti Trump nuk ka ngurruar as ta falënderojë publikisht kryeministrin Rama. Gjë që sipas gazetës gjermane “Spiegel” e ka vendosur Edi Ramën në një pozicion delikat, duke mos dashur të shfaqej si i përkëdheluri i Donald Trump.

Ndoshta është kjo arsyeja që Edi Rama, pas takimit me presidentin amerikan, sipas “Spiegel” i është drejtuar për një bisedë Kancelares Merkel dhe presidentit Macron.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA