Humori shqiptar humbi një ndër emrat më të njohur të tij. Fadil Hasa u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Miqtë e tij të jetës e të skenës nuk i mbajnë dot lotët. Ende të tronditur nga ky lajm ata sjellin kujtime nga rolet e humoristit më të njohur durrsak.

Homazhet do të zhvillohen të martën nga ora 10.00-11.00 në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, ku Fadil Hasa kaloi pjesën më të madhe të jetës artistike, duke përcjelle përmes batutave plot humor realitetin dhe problemet e qytetarëve.

Në arkivin e hapur të Pallatit të Kulturës së Durrësit ndodhen shumë foto, dëshmi nga aktiviteti i tij artistik e pas çdo fotoje qëndron një rol e një histori. Në fillim të viteve ’90 doli në pension të parakohshëm dhe pjesëmarrja e tij në skenë dy dekadat e fundit u reduktua për shkak të qëndrimit kritik që aktori mbante ndaj teksteve shpesh komerciale të humorit, që për të ishte arti i të nxjerrit në pah të veseve të shoqërisë.

Në mendjen e publikut do të mbeten të paharrueshme rolet e tij te pjesët “Dajrja”, “Sheqeri”, Tekniku i lavatriçes”, skeçet e shumta, si dhe rolet në kinematografi ku veçojmë ato në filmat “Mao Ce Dun” (2007), “Kronikë provinciale” (2009) dhe “Zëvendësi i grave” (1987).

Në edicionin e 13 të Festivalit Mbarëkombëtar të filmit, Fadil Hasa u shpall “Aktori më i Mirë”, për rolin Hekuran Romalinit te luajtur në filmin “Mao Ce Dun”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA