Kujdesi për dhëmbët te fëmijët, depistimet zbulojnë më shumë fëmijë me karies dhe higjienë të dobët Për 28 vite, Barjam Njazi Dervishaj ka parë çdo burg të Shqipërisë komuniste. Ishte ende fëmijë, kur u arrestua teksa përpiqej të largohej nga Shqipëria.
“Për çfarë më kanë parë sytë, për çfarë kam hequr, unë duhej të kisha vdekur 100 herë”, thotë ai.
Ajo që e mundon 74-vjeçarin pas fitimit të lirisë është pyetja: Po eshtrat e shokëve të tij, ku gjenden?
“Në atë kohë unë po shkarkoja vagonin dhe dëgjoj ulërimën e shokut tim, kishte thyer këmbën. E mora ashtu në krahë dhe duke zbritur katet e nënkatet e galerisë, ndieja ngrohtësinë e gjakut të tij që kullonte mbi trupin tim. Në burgun e Burrelit jam ndierë keq me dy shokët e mi, që varën veten nga uria”, thotë Barjam Njazi Dervishaj.
Por, krimet e komunizmit nuk mbarojnë me kaq.
“Pasi pushkatuan 4 heronjtë e Spaçit, 4 djem të rinj vetëm se ngritën flamurin e Skënderbeut. Pas 3 ditëve gjejnë qenin, e dënojnë me trup gjykues dhe e varin para të burgosurve politikë. Ja ku arriti kafshëria e komunizmit, vari edhe qenin”, thotë Hysen Ismail Haxhiaj.
Këto dëshmi e të tjera, tanimë do të mund të shihen të gjitha në një arkivë “online” të viktimave të komunizmit, “Kujto.al”, një nismë e ndërmarrë nga deputeti Agron Shehaj.
“Teknologjia vërtet na jep mundësi që ne të mbledhim informacione. Një shembull elementar: një nga gjërat që ndihmoi Facebooku ishte që njerëzit të gjenin shokët e klasave. Imagjino ç’mund të bëjë teknologjia e informacionit për krimet e komunizmit”, u shpreh Shehaj.
Ndërkohë, plagët e asaj periudhe janë të hapura edhe sot te viktimat e komunizmit.
“Ndiejmë makthe, unë shikoj ëndrra e llahtare natën. Komunizmi ka lënë gjurmë të thella te ne”, tha Barjam Njazi Dervishaj.
Top Channel