680 studentë të Universitetit Europian të Tiranës përfunduan ditën e djeshme ciklin e studimeve, ku u shpërblyen me marrjen e diplomës në një ceremoni jubilare. Në 10 vite në UET janë diplomuar 9256 studentë.
Profesor Ardian Civivi u shpreh: “Të diplomosh një numër kaq të madh studentësh do të thotë të ndjehesh shumë i përgjegjshëm përballë faktit nëse cilësia dhe standardi kanë qenë në atë nivel që duhet dhe ky brez i ri i diplomuar të jetë i përgatitur profesionalisht”.
Administratori Arbër Agalliu deklaroi: “Të mbërrish në vitin e 10 në një aktivitet të tillë do të thotë të konsolidosh të gjitha standardet më të mira, jo vetëm në arsimin e lartë, por edhe në administrimin si një nevojë në tregun e punës”.
Në traditën e universiteteve, që njihet si fjalimi i fillimit të jetës, studentët e këtij viti i përshëndeti guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe informaticieni Grigor Joti. Ndërkohë që profesori Ferit Duka shprehu bindjen se brezi i ri i sapodiplomuar në sektorin juridik në UET do i japë zgjidhje drejtësisë së munguar në vend.
Por ç’do të thotë për vetë të rinjtë përfundimi i studimeve?
“Puna e UET, e stafit akademik ka ndikuar shumë në formim. Normalisht edhe masterin do e bëjmë këtu, për mundësi të shumta në punësim. Këtu janë profesorët më të mirë”, deklarojnë studentët.
Top Channel