Kryeministri grek Alexis Tsipras deklaroi se dy çështjet e mbetura mes Athinës dhe Tiranës, ajo e ligjit të luftës dhe kufijve, janë shumë pranë gjetjes së një zgjidhjeje, duke u fokusuar te këto dy tema edhe pse në diskutim është gjithashtu edhe ajo e Zonës Ekskluzive Ekonomike.

“Ka përparim të madh, – thotë shefi i ekzekutivit grek. – Jemi pranë fundit, por nuk i kemi zgjidhur ende. Me Ramën pranuam t’i dyfishonim përpjekjet, e të njëjtën gjë të bëjnë edhe ministrat e Jashtëm”, sqaroi ai, duke shtuar se “duam zgjidhje pozitive sa më shpejt të mundemi”.

Por, artikulli në faqen “online” të gazetës “Prototema”, ndër të parat që përcolli lajmin, u përqëndrua te një detaj i fjalës së kreut të ekzekutivit grek, te termi “kufij” dhe një diskutim me Tiranën, gjë që sipas të përditshmes greke mbetet për t’u sqaruar.

“Bëhet fjalë për një gabim gjuhësor, apo diçka tjetër?”. “Prototema” ngre pyetjen nëse kjo lidhet me deklaratën e Johannes Hahnit, e cila u interpretua me shpejtësi nga mediet greke si bisedime Athinë-Tiranë për ristrukturim të kufijve, duke ngjallur reaksion të madh në vendin fqinj e duke shtyrë zëdhënësin e Hahnit të sqaronte se Komisioneri nuk i është referuar një ndryshimi kufitar, por ZEE-së.

Gazeta greke thekson se, kjo çështje është e ndryshme nga ajo e përcaktimit të Zones Ekskluzive Ekonomike mes Greqisë dhe Shqipërisë. Aktualisht, Tirana dhe Athina janë duke negociuar vetëm për marrëveshjen e kufijve detarë.

Top Channel