Një grup xhirimi i Top Channel është sulmuar nga disa persona në Bajram Curr teksa ishte duke kryer filmime dhe po grumbullonte materiale mbi ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Valbonë nga firma “Gener 2”, e cila nuk e ka pezulluar aktivitetin edhe pse ka një vendim gjykate për ndërprerjen e tyre.
Momentet e agresionit i raporton gazetari Endrit Habilaj: “Grupi po xhironte pranë lumit, ku evidentuam një masakër mjedisore në këtë zonë, ku lumi është jashtëzakonisht i ndotur për shkak të inerteve që po hidhen këto. Pavarësisht se ka një vendim nga Gjykata e Apelit për pezullimin e punimeve, këtu punimet vazhdojnë intensivisht. Në këtë kohë, 3 persona që ishin të paidentifikuar ka nisur të na shajnë dhe ofendojnë. Më pas, u afruan pranë operatorit duke e sulmuar atë së bashku me personin që mbante dronin, ndërsa i merr edhe telefonin. Ishte një konflikt që ka zgjatur më pas një minutë”.
Gazetari thotë se sulmi ka ardhur nga persona të cilët janë të ngarkuar me “securityn” e firmës që po kryen punimet në Valbonë.
“Aktualisht kemi bërë edhe kallëzimin në Prokurori për një nga personat që është identifikuar si Mohamet Gjongeca, i cili është i afërm me ish-drejtorin e policisë së shtetit Erzen Breçani. Njëherësh, ky person punon edhe në “security” te kompania “Gener 2”, thotë gazetari.
Pavarësisht incidentit, grupi i xhirimit i Top Channel do të realizojë dokumentarin mbi ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Valbonë, duke sjellë dëshmi dhe fakte mbi atë që po ndodh në të vërtetë në një nga perlat e natyrës shqiptare.
Ndërkohë, për këtë rast, ka reaguar policia duke ndaluar shtetasin Muhamed Gjongeci.
Top Channel