Tom Ndrecën e rrezikon kunati. I treti gjyqtar i lartë para vetting-ut, probleme edhe me pasurinë

13/07/2018 15:22

Së bashku me avokaten, gjyqtari i lartë Tom Ndreca hyri besimplotë për procesin e vetting-ut.

“Kam besim dhe pres vlerësimin e duhur”, u shpreh Ndreca.

Gjyqtari i njohur si relatori i Kolegjit Zgjedhor që cerfitikoi fitoren e Lulzim Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës e po ashtu edhe gjyqtari i 21 janarit, rezulton se nuk justifikon 1.3 milionë lekë nga pasuritë e tij. Një shumë për të cilën Tom Ndreca këmbënguli se nuk i janë llogaritur të ardhurat e tij nga viti 1980 e në vijim. Blerja e shtëpive nga gjyqtari dhe familja e tij u konsideruan të deklaruara saktë, ndërkohë që organet e vetting-ut mendojnë se harresa e djalit të gjyqtarit për të deklaruar vite më parë një automjet është fshehje.

KPK vendosi në pozitë të vështirë gjyqtarin, duke e deklaruar me figurë të papërshtatshme, përderisa kunati i tij është arrestuar vite më parë me një cigare hashash, por hetimet janë pushuar sepse ai rezultoi përdorues. Për këtë fakt, kunati i gjyqtarit konsiderohet nga KPK-ja si krim i organizuar. Një person i arrestuar për 0.44 gramë hashash konsiderohet si pjesë e krimit të organizuar, edhe pse ligji e sanksionon qartë se cilët persona janë pjesë e krimit të organizuar.

Për nipin e dënuar për ndikim të paligjshëm rrezikohet edhe karriera e gjyqtarit kushtetues Gani Dizdari. Edhe kjo vepër, sipas mbrojtjes, nuk bën pjesë tek paketat e veprave të krimit të organizuar.

Edhe java që vjen është e ngarkuar për KPK-në. Të hënën del gjyqtari i katërt i Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli. Të martën, për herë të parë do të shqyrtohet një vendim-shkarkimi nga Shkalla e Parë për gjyqtarin kushtetues Fatos Lulo. Deri tani janë shkarkuar 9 njerëz të drejtësisë. Të tjerë presin në ankth.

Këto janë ditët e vetting-ut.

Top Channel