Falsifikoi formularin e dekriminalizimit, Prokuroria nis hetimet për gjyqtarin hajdut

11/07/2018 11:28

Dënimi me 40 ditë burg për vjedhje i gjyqtarit Admir Thanza, përfshin në hetime dy prokurori, atë të përgjithshmen dhe atë të Tiranës.

Në një njoftim zyrtar, këshilltari i Arta Markut, Denion Ndrenika thotë se Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë po vlerëson materialet e anëtarit të Gjykatës së Lartë, për pastërtinë e figurës së tij.

Më tej njoftimi shpjegon se hetimi kryesisht është për fshehje apo deklarim të rremë, por ajo që nuk kuptohet në këtë qëndrim zyrtar të organit qëndror të akuzës, është se përse prokuroria do të përfshijë në administrimin e materialeve të bëra publike, përveç Komisionit të Pavarur të Kualfikimit, edhe Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive.

Raporti i ILDKPKI-së ka deklaratat e pasurive të gjyqtarit të lartë dhe ai nuk mund të administrohet pa përfunduar edhe në shkallën e dytë vendimi për gjyqtarin Thanza. Nga ana tjetër, edhe Prokuroria e Tiranës thotë se ka nisur verifikimet për falsifikim të formularëve për gjyqtarin Thanza, në të cilin ai mohon të ketë qenë i dënuar.

Nuk dihet nëse rasti i gjyqtarit të lartë Admir Thanza i ka vendosur në dilemë dy prokuroritë. Ajo që dihet është se praktika e ndjekur deri më tani është e tillë, fillimisht sektori i dekriminalizimit që është në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar fshehjen e dënimit. Më pas organi qëndror i akuzës i kërkon shkarkimin e subjektit, organit të emërtesës.

Pas këtij hetimi administrativ, hapi i tretë është zbritja e çështjes për hetim penal për falsifikimin e dokumentit në një prokurori të zakonshme. Por rasti i paprecedentë Admir Thanza, i cili ka qenë gjyqtar në kupolën e drejtësisë, nuk ka nevojë për vendim shkarkimi tjetër, përsa kohë karriera e tij është në pikëpyetje nga Vettingu.

Top Channel