Pulëbardhat bregdetare që janë shfaqur në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Porto Romanos, në Durrës, duket se lajmërojnë atë që pritet të ndodhë në hapësirën e ndotur prej 15 hektarësh, pasi pushteti vendor pranoi degradimin ekstrem të zonës.
Një ditë pas vendimit të Këshillit të Bashkisë së Durrësit për shpalljen e emergjencës mjedisore në territorin ku ndodhen 4 vendgrumbullimet e mbetjeve urbane, banorët e këtyre zonave, përkatësisht Porto Romanos, Sukthit, Ishmit e Manzës, kanë marrë frymë të lehtësuar, duke shpresuar në ndryshimin e shpejtë të realitetit ku gjenden.
Por sa shpejtë do të jetë ky ndryshim? Sa shpejt këto zona e fusha të hapura, ku digjen mbetjet urbane dhe ku çlirohet tym toksik, do të kthehen në parqe të gjelbëruara dhe kënde lojërash, ashtu siç premtoi edhe kryeministri i vendit një muaj më parë, teksa vizitonte vendngrumbullimin e mbetjeve në Durrës?
Pas këtij vendimi, Bashkia e Durrësit me afro 320 mijë banorë do të kërkojë pranë Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve shpalljen e emergjencës mjedisore në Durrës, duke nisur kështu edhe procesin e gjetjes së një alternative për depozitimin e mbetjeve dhe mbyllur vendgrumbullimet e Durrësit.
Ky Komitet ndërministror është krijuar me një VKM në vitin 2013, për vlerësimin dhe marrjen e masave në situata emergjente, si kjo e Durrësit.
Landfilli i Tiranës mbetet një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës emergjente që po kalon Durrësi, ndaj për të kërkuar mbështetje teknike dhe bashkëpunuar me koncesionarin e këtij landfilli dhe institucionet e qeverisjes vendore të Tiranës, e drejta i jepet kryetarit të Bashkisë së Durrësit, që do të jetë edhe autoriteti për kryerjen e procedurave që do të çojnë në zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës, ekstremisht të degraduar mjedisore, në të cilën ndodhen zonat ku depozitohen mbetjet, si pasojë e mostrajtimit të tyre.
Në Bashkinë e Durrësit ndodhen 4 vendgrumbullime, ku hidhen mbetje të pandara. Kjo gjendje, me pasoja në shëndetin dhe jetët e banorëve të zonave përreth, ka penguar dhe zhvillimin e këtyre zonave me potencial turistik, veçanërisht ajo e Porto Romanos, që ndodhet në zonën bregdetare e pranë Kampusit universitar.
Top Channel