Amerika ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për të krijuar Europën e pas-luftës. Në vitet 1940-1950 luajti rolin e ndërmjetësit për një traktat që solli BE-në dhe NATO-n, aleancën ushtarake që fitoi Luftën e Ftohtë.
SHBA-të vepruan pjesërisht në formë bamirësie, por kryesisht për shkak të interesit të vet. Pasi ishin tërhequr nga të tjerë në dy luftëra botërore, SHBA-të donin të ndalonin rivalitetin franko-gjerman e të ndërtonin një mbrojtje kundër kërcënimit sovjetik. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, aleanca nisi të promovojë demokracinë në shtetet e sapo çliruara të Europës Lindore.
Por sot, Amerika dhe Europa janë të ndara nga një krisje që sa vjen e thellohet. Atmosfera përpara takimit dy-ditor të NATO-s në Bruksel, më 11-12 korrik, ka qenë vërtet helmatisës. Presidenti amerikan, Donald Trump, i akuzon udhëheqësit europianë si shkelës të besimit dhe të paaftë për të ushtruar pushtet aty ku duhet. Ata, nga ana tjetër, e akuzojnë për vandalizëm të pagdhendur. Një samit i dytë, që do të mbahet midis Trump-it dhe Putinit në Helsinki, më 16 Korrik, mund të prodhojë spektaklin e pamendueshëm të një presidenti amerikan që trajton kundërshtarin rus më mirë se ç’ka trajtuar aleatët.
Edhe sikur dy samitet të kalojnë të qeta, (siç priten, meqë Trump pëlqen t’i ngatërrojë ata që e kritikojnë), mosmarrëveshjet dhe përplasjet kulturore e politike do të mbeten aty. Aleanca e perëndimit e ka punën pisk, dhe kjo duhet të shqetësojë Europën, Amerikën dhe të gjithë botën mbarë.
Çdo aleancë ka tensionet e veta, por ajo e Perëndimit i ka të përhapura në fronte të ndryshme. Trump dhe gjeneralët e tij qortojnë pa pushim anëtarët e NATO-s që nuk respektojnë premtimin për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 2% të PBB, deri në vitin 2024. E djathta amerikane qorton mbështetjen europiane të marrëveshjes bërthamore me Iranin, nga e cila Trump u tërhoq, dhe e sheh si një sjellje të njëanshme karshi Izraelit. Ligjvënësit nga të dy partitë amerikane mendojnë se teksa vëmendja e botës po kthehet në Azi, europianët e BE, që “dinë vetëm të ankohen e që marrin pamje shenjtori”, meritojnë më pak nga koha e tyre.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Trump e ka akuzuar BE-në se po përpiqet të përfitojë nga SHBA-të nëpërmjet një tregtie të padrejtë. Europa, ndërkohë, mbetet e përçarë. Italia ka një koalicion populist që është pro Putinit. Turqia, që është anëtare e NATO-s, por jo në BE, mbetet armiqësore ndaj vlerave të demokracisë liberale që e mbajnë aleancën të bashkuar. E ardhmja mund të jetë edhe më keq se kaq. Një qeveri laburiste në Britani, nën drejtimin e Xheremi Korbinit, i cili ka vite që e kundërshton angazhimin ushtarak nga Perëndimi, mund ta shohë Amerikën me dyshime edhe më të mëdha, e madje mund të përpiqet ta nxjerrë Britaninë nga NATO.
Aleanca Perëndimore ia vlen të ruhet. Në një botë të rrezikshme, gjithnjë e më autoritare, NATO mund të shërbejë si burim jetik që ofron siguri dhe si bastion i demokracisë. Por Aleanca nuk e ka mbijetesën të garantuar nga Zoti. Duhet ta meritojë vendin e vet, vazhdimisht. Pyetja është se si.
Hapi i parë është të mos e bësh punën edhe më të vështirë. Europa duhet të bëjë gjithçka që mundet për t’i mbijetuar instinkteve të Trump-it për ta përzier tregtinë me sigurinë. Përzierja e këtyre dy fushave do ta bënte Perëndimin më pak të sigurt e më të varfër.
Mbështetësit e aleancës duhet të jenë praktikë. Kjo do të thotë që duhet të paguajnë. Trump ka të drejtë që ankohet për vende si Gjermania e Italia, të cilat shpenzojnë 1.22% dhe 1.13% të PBB për mbrojtjen. Në fakt, ai mund të shkojë edhe më tej. Shumë pak nga paratë që shpenzohen për mbrojtjen janë në fakt të dobishme. Një e treta e parave që shpenzon Belgjika shkojnë për pensione. Duhet të shpenzohet më shumë për kërkime shkencore, zhvillim dhe pajisje.
Për aleatët e Amerikës, të jesh praktik do të thotë gjithashtu të ruash ritmin e kohës. Bashkëpunimi në fusha si siguria kibernetike do ta bëjnë aleancën më të vlefshme për Amerikën. NATO-ja duhet të vazhdojë të japë një përgjigje më të mprehtë ndaj taktikave të dezinformimit e të infiltrimit që ka përdorur Rusia në Krime dhe në Ukrainë. Politika bën vetëm larje e lyerje. Është e vështirë të rikthehen e njohuritë ushtarake në një vend që i ka humbur me kohën. Manovrat që e mbajnë NATO-n të bashkuar janë më jetike se kurrë.
Të jesh praktik do të thotë të qëndrosh bashkë. Teksa negocion për Brexit, BE-ja është e vendosur ta mbajë Britaninë jashtë strukturave të sigurisë së bllokut, ngaqë nuk do të jetë më anëtare. Por me përvojën ushtarake që ka Britania, me industrinë e armëve dhe agjencitë e informimit që zotëron, kjo është një humbje për vetë BE-në. BE duhet të përpiqet ta afrojë Britaninë duke reklamuar Iniciativën e Ndërhyrjes Europiane, të propozuar nga Franca, e cila ka si qëllim të krijojë një forcë që mund të veprojë në kohë krize. Amerika do ta kishte parë një plan të tillë si kërcënim ndaj NATO-s. Sot duhet të shërbejë si garanci dhe si shenjë që Europa është e gatshme të ndërmarrë më shumë përgjegjësi.
Lufta për mendjen
Lufta e fundit është ajo e ideve. Po të mos kishin ekzistuar në kohë të tjera, NATO dhe BE nuk do të ishin krijuar në kohët e sotme. Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, ndjesia e kërcënimit është zbutur dhe janë shfaqur më shumë pengesa bashkëpunimi. Prapë, kjo nuk e bën NATO-n të panevojshme, siç deklaroi Trump dikur. Aleancat e Amerikës janë një vlerë që shihen me zili nga Rusia dhe Kina. NATO është një trashëgimi që bëhet më e çmuar duke qenë e pazëvendësueshme.
Nevoja për siguri mbetet. Rusia nuk është Bashkimi Sovjetik, por, si fuqi në rënie, ndihet e kërcënuar. Për këtë arsye ka modernizuar forcat ushtarake dhe është e përgatitur t’i vërë në veprim. Nevoja për të përdorur demokracinë europiane si pikë orientimi për vendet lindore, mbetet po ashtu e pranishme. Autoritarianizmi sa vjen e shtohet në Poloni e Hungari, ndaj NATO dhe BE mund të ndihmojnë që ta ndalojnë. Përfitimet e tjera janë te mënyra se si Europa e ndihmon Amerikën ta projektojë pushtetin e vet duke ofruar baza, trupa, dhe, zakonisht, mbështetje diplomatike.
NATO është më e brishtë se ç’mendon Trump. Thelbi i ekzistencës së saj është betimi për ta quajtur sulmin ndaj secilit prej vendeve anëtare si sulm ndaj gjithë të tjerëve. Pavendosmëria e tij dhe armiqësia ndaj Europës e ka zbutur atë premtim, si dhe zbulon pakënaqësinë që ka ai për faktin se vendet e vogla kanë të njëjtat të drejta si vendet e mëdha. Azia po vëzhgon, njësoj si Putini. Sa më shumë t’i ngacmojë Trump aleatët, aq më shumë bota do ta shohë me dyshim rolin e Amerikës si garantuese e sigurisë. Dhe ngaqë fuqitë e mëdha konkurrojnë në një zonë gri midis paqes dhe luftës, shtohet rreziku që të bëhen llogaritë gabim kur të jetë nevoja.
Trump beson se është mjeshtër për të bërë negociata, me synimin për të forcuar Amerikën. Me Europën, ashtu si me shumë gjëra të tjera, ai po nënvlerëson atë që po largon nga vetja.
The Economist
Top Channel