Samiti i Ballkanit Perëndimor mblodhi në Londër udhëheqësit e 6 vendeve të rajonit, partnerë të Bashkimit Europian, dhe përfaqësuesit e institucioneve europiane, në kuadër të bashkëpunimit për të mbështetur sigurinë, stabilitetin dhe përparimin e rajonit.
Samiti u organizua nga kryeministrja britanike, Theresa May, e pjesë e tij ishte gjithashtu edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel.
“Historia ka dëshmuar se stabiliteti dhe siguria e rajonit të Ballkanit Perëndimor nënkupton një Europë më të qëndrueshme dhe më të sigurtë”, deklaroi May, e cila tha se Britania vërtet po largohet nga BE-ja, por mbetet e përkushtuar për përparimin e prosperitetit dhe sigurisë të Ballkanit Perëndimor.
Pakoja e masave për këtë qëllim përfshin rritjen me 95% të financimit britanik në rajon, nga 41 milionë në 80 milionë stërlina. Gjithashtu do të dyfishohet numri i britanikëve që do të punojnë në rajon, në çështjet e sigurisë që ndikojnë në Britaninë e Madhe dhe në Ballkan.
Diskutimet e samitit u konfirmuan në konferencën për shtyp, që kryeministrja britanike May zhvilloi bashkë me Kancelaren gjermane Angela Merkel, dhe kryeministrin polak Mateusz Morawiecki, i cili do të organizojë samitin e radhës të Ballkanit Perëndimor vitin e ardhshëm.
May, ashtu si Merkel dhe Morawiecki theksuan se siguria ishte tema kryesore e diskutimit në samit, por u fol gjithashtu edhe për investime në infrastrukturë dhe ekonomi, madje edhe bashkëpunimi kulturor, si bazë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Në samit morën pjesë krerët e rajonit, mes të cilëve kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologu i tij kosovar, Ramush Haradinaj.
Top Channel