Misioni final… rifillon operacioni në Tajlandë

10/07/2018 09:17

Zhytësit janë kthyer sërish në shpellën e përmbytur në Tajlandën veriore për të shpëtuar katër djemtë që ende janë të bllokuar atje dhe trajnerin e tyre të futbollit, në një mision të tretë dhe të fundit, sot.

19 zhytës hynë në shpellë që në mëngjes dhe do të përshkojnë tunelet për të nxjerrë jashtë edhe pesë anëtarët e mbetur të ekipit të futbollit Wild Boar, por edhe katër ekspertët që kanë qëndruar me ta që kur u gjetën javën e kaluar.

Operacioni i shpëtimit, ditën e dytë, është zhvilluar më shpejt se të parën, me dy orë më pak, pasi procedura tani u bë e njohur. Dhe pompat e fuqishme që janë vendosur në shpellë thuhet se kanë ndihmuar në uljen e nivelit të ujit brenda sistemit të shpellave, duke e bërë rrugën e daljes më të lehtë.

Tetë nga 12 djemtë e bllokuar në shpellën e përmbytur u nxorën gjatë dy ditëve të para të operacionit të shpëtimit dhe tani ndodhen në spital. Sipas mjekëve, ata janë në gjendje të mirë mendore dhe fizike. Ata i janë nënshtruar grafive me rreze x dhe testeve të gjakut.

Dy janë trajtuar për inflamacion të mushkërive ndërkohë që do të mbeten në spital për të paktën edhe shtatë ditë. Disa nga djemtë kishin temperaturë të ulët, me një prej tyre që kishte edhe rrahje të dobëta zemre kur mbërritën në spital, por tani janë në gjendje të mirë.

Zyrtarët, lajmëruan në një konferencë për shtyp se djemtë nuk do të mund të takoheshin ende me prindërit. Disa prej tyre në fakt i kanë parë prindërit por e kanë bërë këtë të ndarë nga një xham. Rezultate shtesë të testeve priten brenda pak ditësh dhe nëse të gjitha shenjat e infeksioneve janë larguar, familjarët do të lejohen të vizitojnë.

Sidoqoftë, ata duhet të mbajnë veshje mbrojtëse dhe nuk mund të afrohen më shumë se dy metra. Djemtë po ashtu duhet të mbajnë syze dielli pasi janë nxjerrë nga një vend i errët ku kanë qëndruar për më shumë se dy javë, në një vend me dritë.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA