![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/acb21b1b-067f-4ad1-8179-08dd4a843460_cx0_cy4_cw0_w1023_r1_s_sd-800x450.jpg)
Merr fund odiseja torturuese e 12 sportistëve të mitur dhe trajnerit të tyre, të cilët kishin mbetur të izoluar në një shpellë në Tajlandë, që prej datës 23 Qershor.
Operacioni i shpëtimit, i kryer nga zhytësa tajlandezë dhe të huaj, arriti të nxjerrë jashtë të 12 djemtë dhe trajnerin e tyre, pas 3 ditësh të mundimshme dhe plot ankth.
Ky operacion filloi ditën e diel, kur u shpëtuan 4 djem, vijoi të hënën me shpëtimin e 4 të tjerëve dhe u mbyll para pak minutash me nxjerrjen jashtë shpellës të pjesës së mbetur, 4 sportistëve dhe trajnerit.
Djemtë dhe trajneri i tyre ishin nisur në një ekspeditë, por mbetën të izoluar, për shkak të ujërave që përfshinë shpellën.
Ata u gjetën pas rreth dy javësh kërkime, ndërsa operacioni i nxjerrjes jashtë ishte një telash më vete, për shkak të vështirësive që paraqiste rruga, sepse duhej një kombinim mes ecjes dhe zhytjes nëpër ngushtica.
Top Channel