Gjyqtari që vidhte dyqane, Thanza ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit

10/07/2018 15:00

Nëse do të ishe deputet, vendimi për vjedhje i Admir Thanzës do ishte bërë publik, këtu e 3 vite më parë. Por detyra si gjyqtar i lartë i kishte siguruar atij privilegjin e paprekshmërisë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM zbuluan të kaluarën për vjedhje të gjyqtarit të Lartë Admir Thanza, një vendim që të kujton një shprehje të Ëinston Churchill, i cili thoshte se e “gënjeshtra ka bërë gjysmën e rrugës rreth e qark botës, kur e vërteta sapo është nisur”. Dhe në fakt, e vërteta ka mbërritur sot në sallën e KPK, në të cilën u mbaj seanca dëgjimore për gjyqtarin e lart Admir Thanza. Ai u përball me të kaluarën e tij, por edhe me të vërtetën.

Në formularin e dekriminalizimit, të firmosur prej gjyqtarit të lartë Admir Thanza, ai vetdeklarohet i padënuar. Por Admir Thanza është dënuar për vjedhje me 40 ditë burg e 100 mijë lireta gjobë për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim. Ai është shpallur fajtor nga gjykata e Pizës, Itali në vitin 1999, për një vjedhje në një supermarket. Por Admir Thanza tha se nuk ishte rrëfyer në formularin e dekriminalizimit, sepse avokati i kishte thënë që ishte diçka e parëndësishme, për sa kohë i kishte sjellë certifikatë të bardhë nga Italia.

Pasi shpërtheu në lot, gjyqtari i cili i përket edhe botës akademike, këmbënguli se nuk ka vjedhur asnjëherë. Ishte budallallëku i kunatës time, ajo vodhi tha gjyqtari i lartë. Unë mora përsipër krimin shpjegoi Admir Thanza, duke sakrifikuar veten dhe karrierën për të shpëtuar nipin e sëmurë për të cilin ishte kujdestare kunata. Por kjo është rrethana më e rëndë e zbuluar nga ONM për një njëri të drejtësisë, çka do të thotë, është e vështirë që ai të dëgjohet. Po Admir Thanza , kishte harruar të përmendte në formularin e dekriminalizimit edhe detaje të tjera.

Ai ka qenë nën hetim për dyshimet e korrupsionit, një çështje e pushuar për mungesë provash e faktesh. Në këtë pikë sipas tij, policia ka keqkuptuar një kafe miqësore me bashkëshorten e një të dyshuari, të cilin ai e kishte mik familjar. Admir Thanza u kryqëzua edhe për komponentin e pasurive të konsideruara si te pajustifikuara e te fshehura.

Gjyqtari i lartë kishte harruar të deklaronte një garazh në Tiranë me sipërfaqe 23 metra katrorë, kishte deklaruar se nuk i kishin bërë kurrë dhurata mbi 500 euro, kur në fakt i ishte dhuruar një garazh në Shkodër nga një shoqëri për të cilën ai ka dhënë vendim në Gjykatën e Lartë.

Mos përputhje ka edhe në kontratat e sipërmarrjes për blerjen e dy apartamenteve, njëra në Tiranë e tjetra në Shkodër, si edhe për pronën e një dubleksi në Gjirin e Lalzit. Për të gjitha këto, Admir Thanza akuzoi KPK se nuk i kishin llogaritur siç duhet të ardhurat e tij, të cilësuara nga KPK si të pamjaftueshme për të investuar.

Për komponentin tjeter, që ka lidhje me pastërtinë e figurës DSIK kishte konstatuar lidhje të papërshtatshme me individë të inkriminuarë, por KPK tha se ky konstatim ishte i paprovuar. As gjyqtari dhe as avokati nuk folën për gazetarë pas senacës, por dolën nga dera dytësore. Ndërkohë vendimi do të shpallet në 17 korrik.

Top Channel