Pjesa më e madhe e bizneseve të vogla që hyjnë për herë të parë në skemën e tvsh-së e kanë përmbushur detyrimin për të dorëzuar deklaratën tatimore.
Drejtoresha e përgjithshme e tatimeve Vasilika Vjero tha se bizneset që ende nuk kanë bërë deklarimin e TVSH-së kanë kohë deri në datën 16 të këtij muaji.
“Janë 11 mijë e 700 biznese që hyjnë për herë të parë në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar. Nga këto, 60 për qind e kanë dorëzuar sakaq deklaratën tatimore”, deklaroi Vjero.
Tatimet i kanë bërë thirrje të gjitha bizneseve që të dorëzojnë në afat deklaratën e TVSH-së, pasi nëse nuk e plotësojnë këtë detyrim do të gjobiten.
“Kush nuk e dorëzon në afat deklaratën tatimore, ka gjobë 5 mijë lekë, kurse ata që e plotësojnë gabim, nuk kanë asnjë penalitet”, tha Drejtoresha e Tatimeve.
Qeveria uli kufirin e xhiros që e kalon një biznes në tvsh nga 5 milionë lekë në vit që ishte më parë në 2 milionë lekë. Ky ndryshim, detyron mbi 11 mijë e 700 biznese që të deklarojnë për herë të parë tatimin mbi vlerën e shtuar duke filluar nga data 1 prill e këtij viti.
Top Channel