Kroacia u kualofikua në gjysmëfinale të Botërorit pas një ndeshje dramatike ndaj organizatorëve të Rusisë.
Portieri Subasic ishte një prej kroatëve që ka meritat më të mëdha për kualifikimin, duke luajtur për shumë minuta i dëmtuar.
Në çdo moment tjetër në karrierën e tij, ai do të kërkonte zëvendësimin pas tërheqjes muskulare që pësoi në minutat e fundit të lojës së rregullt. Por jo në ndeshjen ndaj Rusisë. Portieri kroat është shprehur se ia ka kërkuar vetë stafit qëndrimin edhe për 30 minuta të tjera në fushën e lojës, madje shkon edhe më tej teksa thotë se do të luante edhe me një këmbë nëse do të ishte e nevojshme.
“I ndiej ende paksa dhimbjet e marra nga dëmtimi i djeshëm, por gjëja kryesore është që kemi shkuar më tej, gjithçka tjetër është e parëndësishme.
Isha unë ai që i thashë stafit që të mos më ndërronte dhe largonte nga loja. Do të luaja edhe me një këmbë nëse do të ishte e nevojshme, atë ndryshim duhet ta mbanim për dikë tjetër. Jam krenar, i kënaqur dhe i mbushur me lumturi, pasi jemi shkatërruar që të gjithë për të arritur këtu dhe tashmë kërkojmë edhe më tepër”, ka thënë Subasic.
Top Channel