Sekretari për Brexit-in, May zgjedh pasuesin e Davis

09/07/2018 13:02

Dominik Raab është zgjedhur Sekretar për Brexit-in nga Theresa May pasi David Davis dha dorëheqjen. Raab, që aktualisht është ministër i Strehimit, ka qenë një nga mbështetësit e flaktë të Brexitit gjatë referendumit të 2016.

Davis dha dorëheqje të dielën të mbrëmje duke thënë se Theresa May kishte hequr dorë nga shumëçka, shumë lehtë.

Ai tha se nuk mund të qëndronte më gjatë në postin e tij pasi nuk besonte më në planin për marrëdhëniet e ardhshme të Britanisë me BE që u mbështet nga kabineti qeveritar të premten.

Ai tha se shpresonte që dorëheqja e tij të bënte të mundur që Britania t’i rezistonte përpjekjeve të BE për të fituar lëshime të tjera por insistoi se nuk po përpiqej të dëmtonte apo sfidonte kryeministren.

44-vjeçari Raab, një avokat para se të zgjidhej deputet në 2010, tani do të marrë në dorë negociatat thuajse të përditshme me Michel Barnierin e BE.

Komisioni evropian ka refuzuar të bëjë komente për ndryshimin duke thënë se do të vazhdojë të negociojë me vullnet të mirë në përpjekje për të siguruar një marrëveshje mbi kushtet e daljes së Britanisë nga blloku evropian dhe marrëdhëniet e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA