Mbrëmjen e së dielës deputetët e Partisë Demokratike mësuan se fjalimet që kishin marrë porosi të përgatisnin do t’u shkonin dëm. Pak orë para seancës së të hënës, opozita vendosi të mos shkojë në Parlament, duke akuzuar mazhorancën për tjetërsim të vullnetit të saj në seancën e kaluar, kur kaloi ligjin për teatrin.

Sekretariati për Procedurat dhe Votimet u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e opozitës që pretendon anulim të votimit, pasi rezulton se është përdorur karta e Vangjel Tavos që nuk ishte në seancë. Nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë rezultoi se tjetërsimi i kartës është bërë nga dy deputetë të LSI-së.

Një prej tyre mendohet se është Endrit Braimllari, që ndërron kartën e Robert Bitrit me atë të Tavos, ndërsa në fund është Edmond Panariti që vendos kartën e Tavos në postacionin e votimit të Bitrit. Vetë Panariti, para se të publikoheshin pamjet, mohoi përfshirjen në këtë aksion, kurse LSI u hodh në sulm ndaj Bitrit, tashmë të larguar nga kjo forcë politike, duke e quajtur atë rilindas të vonuar.

Taulant Balla tha: “Opozita ka degraduar deri në këtë pikë që bën një veprim vetë dhe mbi veprimin e kryer vetë merr përsipër që të firmosë një letër ku akuzon për vjedhje të madhe të votës në Kuvendin e Shqipërisë”.

Enkelejd Alibeaj ishte i vetmi opozitar në mbledhjen e sekretariatit, ku nuk u pranua anulimi i votimit për teatrin: “Një deputet që nuk ishte në seancë rezulton që ka votuar, duke falsifikuar votimin. Këta zotërinj e pranojnë që është falsifikuar, por votimin e konsiderojnë të vlefshëm”.

Mazhoranca hoqi nga rendi i ditës ligjin për shkollën e magjistraturës që kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash. Socialistët aludojnë se mungesa e opozitës në sallë ishte për shkak të frikës nga rrjedhja e votave.

Në mungesë të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Basha, vëmendja e gazetarëve ishte përqëndruar te rebelimi i Pandeli Majkos. Por ministri i Diasporës përsëri nuk u përball me median dhe kur mori vesh se e prisnin kamerat, shfrytëzoi daljen e pasme për t’u larguar.

Top Channel