Kullat e Dervish Aliut, kosto prej 5.1 mln lekësh. Ministria s’ka fonde

09/07/2018 19:53

Kullat e Dervish Aliut në Vlorë kanë mbetur në mëshirë të fatit. Kjo, pasi Ministria e Kulturës dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në këtë qytet nuk kanë buxhet për të bërë restaurimin.

“Në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore është projekti për ndërhyrjen në kullat e Dervish Aliut, që konsiston në konsolidimin e mureve, riparimin e çatisë dhe ndërhyrje të tjera estetike. Ky projekt është i miratuar edhe në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, ku vlera e projektit shkon 5.1 mln lekë. I kemi bërë kërkesë Ministrisë së Kulturës”, thotë Orges Feimaj, drejtor i DRKK-së Vlorë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës në Vlorë u bën thirrje donatorëve të huaj që të ndihmojnë në restaurimin e këtyre kullave, trashëgimi kulturore.

“Mundësitë financuese të Drejtorisë Rajonale të Kulturës janë me donatorë. Për të gjithë donatorët, nëse e kanë mundësinë, të kontribuojnë sadopak që të jetë e mundur për realizimin e këtij projekti dhe restaurimin e kullave të Dervish Aliut”, tha Feimaj.

Sa i takon mungesës së cicëronëve, një problem ky i ngritur nga vet turistët, drejtori shprehet se janë mirëmbajtësit, ata që e kryejnë këtë detyrë. Ndërsa më tej thekson se në këtë qark, problem mbeten grabitjet e monumenteve të kulturës, siç është rasti në Parkun e Amantias, ku duket se grabitësit janë rikthyer.

Amantia mbetet një problem i vjetër, ku persona të papërgjegjshëm hapin varre, pasi sipas gojëdhënave, në varre ka pasuri të familjeve të vjetra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA