Të hënën në Parlament, prova e 84 votave. Ligji që zgjidh ngërçin e Magjistraturës

08/07/2018 15:16

Java politike do të nisë të hënën, me një seancë parlamentare që pritet të jetë interesante për sa i përket raporteve numerike mes mazhorancës dhe opozitës.

Pjesë e rendit të ditës janë edhe ndryshimet në ligjin “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, që synon të zgjidhë ngërçin e krijuar me Shkollën e Magjistraturës.

Në mungesë të organeve të reja të drejtësisë, ligjvënësi duhet të ndërhyjë si për emërimin e magjistratëve që mbaruan studimet këtë qershor, ashtu edhe për t’i dhënë mundësi Shkollës të hapë aplikimet e reja në vjeshtë.

Ligji në fjalë kërkon shumicë të cilësuar me 84 vota, të cilën Partia Socialiste nuk e arrin dot pa ish-aleaten e saj, LSI-në, tashmë në opozitë. Përveç 74 kartonave të saj, PS-ja ka të sigurtë votën e Tom Doshit, 3 votat e PDIU-së dhe atë të Robert Bitrit, që zyrtarizoi largimin nga LSI-ja duke u regjistruar si i pavarur, gjë që çon mazhorancën në kuotën e 79 votave.

Por, partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi nuk është më në pozitat e dala nga zgjedhjet dhe tashmë rrjedhja e votave është shfaqur disa herë. Gjatë muajve të fundit, deputetë të ndryshëm kanë refuzuar qëndrimin e LSI-së për të braktisur seancat, duke qëndruar në sallë e duke bashkuar votat me PS-në.

Rebelime të tilla kanë shfaqur emra të njohur të LSI-së, si Lefter Koka, Vangjel Tavo, Edmond Haxhinasto dhe Agron Çela. Në korridoret e politikës pëshpëritet se ka edhe të tjerë, mes atyre që Kryemadhi i ka cilësuar si “shokët e Ilir Metës”, që janë të gatshëm t’i japin lamtumirën LSI-së.

Seanca e së hënës ka gjasat të jetë një tregues i një mazhorance të re, më të zgjeruar, që përflitet prej muajsh.

Burime pranë PS-së i thanë Top Channel se po zhvillohen diskutime me LSI-në, si forcë politike, për sa i përket qëndrimit që ajo do të mbajë, duke qenë se ndërhyrja në draft konsiderohet një ndryshim procedurial afatesh, i një ligji që LSI-ja e ka votuar njëherë legjislaturën e kaluar, kur ishte aleate e PS. Një zgjidhje e tillë do t’i evitonte LSI-së shfaqjen e një hemorragjie të konsiderueshme votash, me pasoja jo të vogla për të ardhmen e saj.

Top Channel