Radomira e Dibrës është vendi ku nis rruga turistike për të ngjitur Malin e Korabit. Në Radomirë po zhvillohet Festa e Bjeshkëve, një mundësi më shumë për të tërhequr vëmendjen e turistëve, përmes bukurive natyrore.
Në fshat janë shtuar vizitorët, ka nga ata që nisin direkt ngjitjen në mal, ndërsa të tjerët janë mbledhur rrëzë Korabit.
Ismet Shehu është shef kuzhine në restorantin e tij në kryeqytet. Ka lindur dhe është rritur në Tiranë, por rrënjët e familjes e kanë sjellë në Korab.
“Sot është Festa e Dibrës, prandaj kam ardhur. Është vendlindja e babait tim, një vend shumë i bukur”, shprehet Ismeti.
Radomira është e njohur veçanërisht për prodhimin e djathit të deles. Çdo ditë qumështi mblidhet në gjithë zonën e fshatrave përqark bjeshkëve. Në baxhon e Hysen Dabullës mbërrijnë 3 kuintalë e gjysmë qumësht, që menjëherë futet në proces përpunimi. Kërkesa për djathin e Radomirës është e lartë sepse është ushqim i deleve që kullosin në Korab, që i jep shije të veçantë qumështit.
Si në të gjithë fshatrat e Shqipërisë, jeta është e vështirë, por Radomira ka potencial turistik dhe banorët nuk duan masterplane apo projekte të mëdha, ata kërkojnë që të investohet për të ndërtuar 4 kilometra rrugë që lidh fshatin me aksin kombëtar Kukës-Peshkopi. Premtime ka sa herë që bëhen zgjedhje, por deri tani asgjë nuk është bërë.
Natyra spektakolare sundon në Radomirë. Ajri i pastër, burimet e ujit, kullotat dhe pyjet në faqet e Korabit janë një resurs që mund t’i japin zhvillim krejt zonës, duke e kthyer Radomirën në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.
Top Channel