Një gjë që pritej ndryshe nga ata që vizitonin Rusinë, veç suksesit të papritur të kombëtares ruse në botëror, ishte atmosfera e krijuar nga vendasit.
Tifozë nga e gjithë bota u dyndën në Rusi pavarësisht tensioneve politike, si p.sh helmimi i ish spiunit rus në Britani, me një agjent nervor. Autoritetet ruse kanë mbyllur njërin sy ndaj shkeljeve të vogla, duke i lejuar qendrat e qyteteve të kthehen në festa non-stop.
Kur Rusia e mposhti Spanjën më 1 korrik, makinat bllokuan rrugët e Moskës dhe papritur nisën festimet nëpër sheshe e bulevarde. Me mijëra tifozë kaluan teatrin Bolshoi, ku balerinat kishin qenë duke ndjekur ndeshjen në prapaskenë, dhe madje shkuan deri në derën e Lubiankës, godinës së FSB (pasuesja e KGB).
Këto lejime e kanë bërë botërorin më të këndshëm se ç’prisnin. “Marshime që s’kanë nevojë për miratim që një muaj përpara nga policia, mbledhje njerëzish në mjedise të hapura që nuk përfundojnë me gjykime, rrahje shpatullash me policë… botërori në Rusi u kthye në një festival lirie”, tha Maksim Trudoliubov, një opinionist.
Vizitorët e huaj kanë gjetur ngrohtësi mes tifozëve rusë, të cilët, ndërkohë, kanë zbuluar se bota e jashtme është më pak armiqësore se ç’u ka treguar televizioni shtetëror. Sasitë e pafundme të birrës dhe dielli i ngrohtë i verës kanë bërë punën e vet, gjithashtu.
Ngrohtësia e festivalit të lirisë do të kthehet me siguri nën rregullat e mëparshme, dhe vendi s’do të mbetet pa dëborë. Fakti që autoritetet ruse mund të lëshojnë pak pè kur është nevoja, nuk është diçka e re. Ajo që bie në sy është se rusët e zakonshëm i kanë kthyer fitoret përrallore të ekipit të tyre në pushime kombëtare që kanë bashkuar popullin e të gjitha spektreve politike.
Edhe drejtuesi i opozitës, Alekseji Navalni, nuk e përmbajti dot gëzimin: “E mrekullueshme”, shkroi ai në Twitter pas fitores me Spanjën.
Presidenti Vladimir Putin preferoi të qëndrojë larg, ndoshta sepse priste të humbnin kundër Spanjës. Kremlinit do t’i pëlqente ta përvetësonte fitoren, sigurisht, por kjo s’është një pronë që mund ta sekuestrojë shteti. Një shkrim në gazetën ekonomike “Vedomosti” thoshte se “asnjë kamera nuk i kapi brohoritjet ‘Rusia’ apo ‘Akinfev’ (emri i portierit) sikur në fakt po thoshin ‘Putin’”.
Disa druajnë se Kremlini do ta shfrytëzojë sportin për qëllime politike, siç ndodhi me lojërat olimpike të Soçit në vitin 2014. (Pasi u rendit me hile mes shteteve me më shumë medalje, Rusia aneksoi Krimenë.) Por këtë herë, euforia sportive duket si lehtësim, pas përballjeve të shumta që janë parë vitet e fundit.
Pati tifozë amerikanë dhe rusë që përqafoheshin në metronë e Moskës dhe përsërisnin: “Do të ketë ndryshime”. Brohoritjet “Rusi, Rusi”, të cilat në kohën e aneksimit të Krimesë u bënë sinonime të nacionalizmit agresiv, tani duken thjesht patriotizma të padëmshme.
Sigurisht, këto ndjesi të mira nuk do ta ndryshojnë politikën e Rusisë, sidomos atë të jashtmen. Nuk do t’i vënë kapak agresionit të Putinit në vendet e huaja, dhe as nuk do të çlirojnë të burgosur politikë që vazhdojnë të dergjen në burgje. Por organizimi i kësaj feste botërore mund ta bëjë më të vështirë për Kremlinin që ta rikthejë Rusinë në një fortesë të rrethuar.
The Economist
Top Channel