Rusia do të luajë të shtunën ndaj Kroacisë për të vijuar mrekullinë e saj, e të kualifikohet në gjysmëfinale. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë do të kemi një përsëritje të historisë së Kupës së Botës të vitit 2002, kur ishte Koreja e Jugut, organizatore e turneut të atij viti bashkë me Japoninë.
Ngjashmëria e parë mes ecurisë së Rusisë e Koresë së Jugut është fakti se, që të dyja këto skuadra vijnë pas eliminimeve në fazën e grupeve në Botërorët paraardhës; koreanët në vitin 1998, ndërsa rusët në vitin 2014.
Me detyrimin për t’i dhënë botës një imazh sa më të mirë, si Koreja e Jugut, ashtu edhe Rusia, këtë vit besuan te lojtarë, shumica e të cilëve luanin në kampionatet e tyre. Kështu, në vitin 2002 Koreja kishte 16 nga 23 futbollistë që aktivizoheshin në kampionatin korean; ndërsa te Rusia aktuale, 21 nga 23 lojtarë janë të kampionatit vendas.
Që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia është eliminuar në fazën e grupeve në tri edicione të Kupës së Botës; 1994, 2002 dhe 2014. E njëjta histori edhe për aziatikët, për edicionet para 2002-shit.
Parpara 16 vitesh, Koreja e Jugut u përball me Spanjën në çerekfinale, me këtë të fundit që kishte fituar ndaj një ekipi amerikano-latin (Paraguaji), një afrikani (Afrika e Jugut) dhe një europiani (Sllovenia). Më pas Spanja mundi një ekip europian në 1/8-at e finaleve.
E njëjta histori edhe për kundërshtaren e Rusisë, Kroacinë, që mundi Argjentinën, Nigerinë, Islandën dhe më pas Danimarkën. Tani mbetet për t’u parë nëse Rusia do të kalojë në gjysmëfinale, si Koreja e Jugut.
Top Channel