Përmet, të përndjekurit politikë kërkojnë eshtrat e të vrarëve nga diktatura

06/07/2018 12:28

Unioni i të përndjekurve politikë ka zhvilluar një aktivitet në qytetin e Përmetit, në lidhje me gjetjen e eshtrave të të gjithë të vrarëve dhe pushkatuarve gjatë regjimit komunist.

Në Shqipëri janë 4.500 persona që u vranë nga regjimi. Dega e Unionit të Përmetit ka një bilanc tragjik të përndjekjes politike.

Madje edhe sot, pas 28 viteve demokraci, në Përmet mungon vëmendja ndaj korifejve dhe klerikëve që i dhanë emër Shiqpërisë e shqiptarëve, dhe që komunizmi i vrau, theksoi presidenti i unionit, Besim Ndregjoni.

“Nga Përmeti duhet të drejtojmë gishtin. Të dënohen barbarët që kanë zhdukur eshtrat, të cilët bëjnë pjesë në politikbërjen shqiptare. A duhet të heshtim ne familjarët? Kemi 28 vite që i kërkojmë këto eshtra, t’u ndërtojmë një varr, t’u ndezim një qiri, të bëjmë një përkujtim, por këto eshtra ne nuk i gjejmë. Ky ishte pikësynimi i mbledhjes së Përmetit”, deklaroi Ndregjoni.

Në lidhje me dëmshpërblimet, që shteti ende nuk ia ka dhënë kësaj kategorie, Ndregjoni tha se është një detyrim kushtetues që duhet përmbushur sa më shpejt.

“Ne kemi të bëjmë me një metodologji politike, tipike komuniste. Një qeveri që nuk zbaton Kushtetutën e këtij vendi, a mund të quhet qeveri demokratike? Nëqoftëse qeveritë në Shqipëri nuk kanë zbatuar Kushtetutën, të drejtën e dëmshpërblimit, a ka të drejtë të revoltohet populli? Po ne të përndjekurit politikë”, pyeti më tej Ndregjoni.

Këto aktivitete po bëhen në të gjitha qytetet e Shqipërisë, pasi viti 2018 është viti i gjetjes së eshtrave të të gjithë të zhdukurve gjatë diktaturës komuniste.

Top Channel