Sipas ligjit, nga 1 janari i vitit 2019 nuk do të lejohet që subjektet e lojrave të fatit ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre pranë institucioneve fetare, shkollave, kopshteve dhe unversiteteve.
Madje, qeveria ka vendosur dhe një distancë prej 100 metrash vijë ajrore që duhet respektuar. Respektimi i afatit është kërkuar me forcë nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, i cili gjatë diskutimeve të disa ligjeve fiskale, i kërkoi ministrit të Financave që të merren të gjitha masat për zhvendosjen e këtij aktiviteti.
“Duhen marrë masa që ky aktivitet të mbyllet në 31 dhjetor 2018. Në 1 janar 2019 lojrat elektronike të fatit të zhduken nga çdo cep pallati”, u shpreh Braçe.
Por Braçe shkoi më tej, duke kërkuar edhe një tatim të ri për lojrat e fatit: “Kemi diskutuar bashkarisht për një tatim të ri për lojrat e fatit”.
Ahmetaj u përgjigj: “Brenda mf ka një analizë se si mund të ndryshojë tatimi. Kur të kemi një qartësi, do ta ndajmë”.
Komisioni i Ekonomisë miratoi uljen e tatim-fitimit nga 15 në 5% të bizneseve me xhiro vjetore nga 5 deri në 14 milionë lekë. Edhe për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor dhe bizneset e agroturizmit, shkalla e tatimit mbi fitimin bëhet 5%.
Top Channel