Reshjet e dendura të shiut sjellin probleme në Kukës, gurë në rrugë dhe mjegull në qytet
Një memorandum mirëkuptimi është firmosur këtë të premte mes qeverisë shqiptare dhe asaj britanike. Për palën shqiptare kanë firmosur ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, si dhe ai i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ndërsa për Britaninë, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Duncan Norman.
“Jam shumë i lumtur që sot nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për shkëmbimin e informacionit për rekordet kriminale me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme. Shkëmbimi i informacionit është një pjesë shumë e rëndësishme në punën tonë, për luftën kundër krimit të organizuar. Ky memorandum është një demonstrim sesa pranë janë dy vendet tona tani, në përpjekjet e përbashkëta për luftuar këtë problem që na prek të gjithëve. Ky është një shembull shumë i mirë për hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrim, për të qenë edhe më efektivë për të luftuar krimin e organizuar, këtu në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar”, deklaroi pas nënshkrimit të marrëveshjes, ambasadori britanik Duncan Norman.
Marrëveshja synon përmirësimin e drejtësisë penale, duke hetuar dhe parandaluar veprimtaritë antiligjore në territoret e të dyja vendeve përmes shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat kriminale.
Shkëmbimi i historikut kriminal lidhur me një dënim, apo gjurmët e gishtave të shtetasve britanikë apo shqiptarë, pritet të ndihmojë në cilësinë e drejtësisë penale. Informacione do të shkëmbehen edhe për shtetas të vendeve të treta, për të ulur në këtë mënyrë kërcënimet e sigurisë së brendshme dhe asaj publike për palët respektive.
Top Channel