“Wimbledon 2018”, Djokoviç e Nadal kalojnë lehtësisht

04/07/2018 12:46

Rafael Nadal e nis me këmbë të mbarë turneun e Wimbledonit. Tenisti spanjoll, që është numri 1 i botës, por që në këtë turne vjen si numri 2, u kualifikua për në raundin e dytë pasi mundi Dudi Selën, me rezultatin 3-0.

Nadal e dominoi totalisht takimin me tenistin izraelit, duke i fituar setet 6-3, 6-3 dhe 6-2. Kundërshtari i radhës për Nadalin do të jetë Kukushkin nga Kazakistani, që eliminoi kanadezin Pospisil.

Edhe Novak Djokoviç u kualifikua me lehtësinë më të madhe në turneun e Wimbledonit. Tenisti serb fitoi në raundin e parë ndaj amerikanit Sandgren, me rezultatin 3-0. Djokoviç nuk e vuri në asnjë moment në dyshim fitoren dhe i mbylli setet me rezultatin 6-3, 6-1 dhe 6-2, në pak më shumë sesa 1 orë e 30 minuta lojë.

Dita e dytë e turneut legjendar të Wimbledonit dhuroi surpriza në kampin e femrave. Petra Kvitova, dy herë fituese e turneut dhe favorite për triumfin këtë vit, u eliminua në raundin e parë, pasi u mund 2-1nga bjellorusja Sasnovich.

Kvitova humbi setin e parë 4-6, por arriti të barazojë lojën në setin e dytë, që e fitoi 6-4. Në setin final, Sasnovich i dha një leksion të mirë çekes, teksa fitoi pastër këtë fraksion të lojës 6-0.

Surprizë tjetër e kësaj dite ishte edhe eliminimi i ruses Maria Sharapova, që humbi 2-1 ndaj bashkëkombases së saj, Diachenko, në një ndeshje maratonë që zgjati 3 orë e 11 minuta. Sharapova fitoi setin e parë 7-6, por Diachenko iu kundërpërgjigj duke fituar dy të tjerët 7-6 dhe 6-4.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA