Pas Edmond Islamaj do të jetë radha e një tjetër anëtari të Gjykatës së Lartë, që do të kalojë në sitën e vettingut.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka caktuar datën 10 korrik për Admir Thanzën. Trupa gjykuese përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici.
Thanza mori këtë detyrë pas përfundimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, në prill të vitit 2013. Ai është lindur në Shkodër dhe është diplomuar në vitin 1992 me titullin Jurist, pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë.
Me një përvojë të gjatë si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, prej vitit 1992 – 2006, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë gjatë periudhës 2006-2009 dhe Gjykatës Kushtetuese 2009-2013, Thanza ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë prej vitit 2004 deri në vitin 2009, vit në të cilin u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Krahas ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, ai ka qenë pedagog i jashtëm pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”, dega drejtësi, në Shkodër dhe në Universitetin jopublik Europian të Tiranës, në të Drejtën Civile, por dhe në Universitetin “Justiniani I”, në të Drejtën Kushtetuese.
Ndërkohë, Edmond Islamaj doli para KPK-së më 5 qershor dhe vendimi për konfirmimin në detyrë u dha pas dy ditësh.
Top Channel