Mungesa e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku edhe gjatë seancës së vendimit nuk u kalua pa u përmendur nga organet e Vetting-ut. Pak orë pas polemikave që vendosën në diskutim komponentin e tretë të aftësive profesionale të kryeprokurores, ajo e kaloi me sukses provën e Vetting-ut dhe u rikonfirmua në detyrë.

Top Channel pyeti avokaten e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme se përse mungoi Arta Marku. Më herët, vëzhguesi ndërkombëtar e komentoi mosparaqitjen e Markut si mungesë lidershipi ndërsa KPK-ja e konsideroi si mungesë prestigji.

“Është e drejta e saj të paraqitet ose jo. Prokurorët, me ndryshimet e reja, janë të pavarur, nuk mund të ndikojë Prokurori i Përgjithshëm në caktimin e masave të sigurisë”, deklaroi avokatja Lirime Çukaj.

Gjatë ditës u përball me seancën e Vetting-ut edhe gjyqtarja e Tiranës, Alma Brati, gjithashtu kandidate për në Këshillin e Lartë Gjyqësor. KPK konstatoi rregullshmëri për të tre komponentët, pavarësisht se deklaroi mospërputhje mes shpenzimeve dhe të ardhurave të gjyqtares.

Por shuma që nuk përputhet është e pakonsiderueshme, sipas Vetting-ut. Gjyqtarja Brati zotëron së bashku me prindërit një apartament në kryeqytet, për të cilin ka marrë kredi, si edhe është bashkëpronare me ish-partnerin e një apartamenti tjetër në Durrës.

Top Channel