Goditje tërmeti 6 ballë. 40 lëkundje në një orë

04/07/2018 15:10

Në orën 11:01, një pjesë e territorit të Republikës së Shqipërisë u lëkund nga një tërmet me fuqi 6 ballë. Epiqendra ishte Gjiri i Lalzit, në zonën e Durrësit.

Rexhep Koçi, përgjegjës i Departamentit të Sizmiologjisë thotë: “Tërmeti ka qenë me magnitudë 5,1 dhe me thellësi 18 km. U ndje fort në Tiranë”.

Në orët e para nuk janë raportuar dëme serioze, por më shumë panik. Pas goditjes së parë, lëkundjet kanë vijuar edhe për disa orë.

“Një orë pas ngjarjes kryesore janë regjistruar 40 pasgoditje me intensitet më të ulët”, shton Koçi.

Fuqia e lëkundjeve është ndjerë shumë e fortë në Durrës dhe në Tiranë. Sipas sizmiologëve fuqia ka shkuar mbi 6 ballë.

“Në këtë zonë ka 5-6 vite që nuk ka rënë tërmet i tillë”, thekson Koçi.

Tërmetet janë të paparashikueshme dhe ndodhin në thellësi shumë të mëdha të tokës, ku ngjarjet sipër saj nuk kanë asnjë ndikim. Se kur do të ndodhin lëkundjet e tjera, askush nuk mund ta shpjegojë shkencërisht.

Top Channel