Kur jeta artistike gjatë verës përqendrohet më shumë në jug, pranë detit dhe pushuesve, sopranoja Inva Mula dhe shumë artistë të tjerë e kthejnë vëmendjen nga Korça pikërisht në korrik, për të mbushur këtë qytet me art e kulturë nga data 24-29 korrik, në edicionin e parë të Festivalit “Muzika Internacionale në Korçë”, një festival që organizatorëve u pëlqen që ta quajnë shkurt MIK.

“Festivali quhet “MIK”. Më ka pëlqyer kjo fjalë, pasi përdoret shumë, por jo aq shumë sa ne do të dëshironim. Dëshironim që të ishim mik me njëri-tjetrin, një fjalë që shqiptarët më duket se e kanë harruar. Do të dëshironim të ishim miq të artit, të projekteve të bukura dhe MIK është Muzika Internacionale në Korçë, që përkon me një fjalë që unë e kam përzemër”, deklaroi Inva Mula.

Tefta Tashko Koço do të marrë vëmendjen më të madhe në këtë festival, si një nga figurat më të mëdha të këtij qyteti, që bëri revolucion duke sjellë në Korçë jetë artistike, atëherë kur mungonte ajo.

“Të gjithë e dimë sharmin e këtij qyteti, ka diçka shumë atraktive. Të gjithë tërhiqen nga ky qytet që nuk ka as det, nuk ka as male, por ka një energji të jashtëzakonshme. Pikërisht me këtë energji të bukur korçare, donim ta përkthenim edhe në art, edhe në muzikë, në një aktivitet që uroj të ketë një fillim të mbarë këtë vit edhe mos t’i ndahet asnjëherë qytetit të bukur të Korçës”, shtoi Inva Mula.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA