Banka e Shqipërisë deklaroi se do të vazhdojë të blejë euro nga tregu derisa të shmangë plotësisht tronditjet e kursit të këmbimit.

“Në raportojmë në mënyrë frekuente në Këshill Mbikëqyrës, do të vazhdojmë të blejmë, por se sa këtë nuk e dimë”, tha Sejko.

Guvernatori Gent Sejko deklaroi se ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë ka patur efekte pozitive duke ndalur rënien e mëtejshme të euros dhe rrezikun që ekonomia të bjerë në deflacion.

“Ndërhyrja në tregun valutor, e miratuar në datën 6 qershor, ka prodhuar tashmë efekte pozitive duke frenuar trendin e fortë mbiçmues të këmbimit dhe duke mundësuar një aktivitet më të qetë dhe më normal në tregjet e këmbimit valutor”, tha guvernatori.

Por kreu i Bankës Qendrore tha se rikthimi i inflacionit në objektivin ligjor 3 për qind do të marrë më shumë kohë nga sa mendohej.

“Bazuar në trendet aktuale të zhvillimit dhe në faktorët mbështetës të tyre, BSH pret rritje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik dhe shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve prodhuese në horizontin afatmesëm. Këto zhvillime do të ndihmojnë në një rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove prodhuese duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2020”, tha Sejko.

Për shkak se shumica e importeve në Shqipëri vijnë nga Bashkimi Europian, rënia e euros sjell uljen e çmimeve në treg. Kjo situatë edhe pse në dukje e mirë për konsumatorët është e dëmshme për ekonominë. Kur çmimet fillojnë të bien, konsumatorët shtyjnë blerjet pasi presin rënie të mëtejshme, ndërkohë që bizneset përballen me rënien e shitjeve. Kjo sjell rënien e konsumit dhe punësimit në ekonomi dhe ishte pikërisht frika nga kjo spirale që e detyroi bankën e Shqipërisë të ndërhyjë për të blerë euro nga tregu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA