Ndotja e mjedisit në Elbasan, gjobat për fajtorët nuk e ndryshojnë situatën

03/07/2018 12:10

Ndotja në qytetin e Elbasanit mbetet një fenomen shqetësues. Industritë në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik shtohen dita-ditës dhe si për rastësi, kush më pak e kush më shumë, të gjithë shkaktojnë ndotje në mjedis.

Me gjithë shqetësimet e ngritura, askush nuk jep një shpjegim sesi kompani të tilla marrin leje mjedisore kur nuk kanë të instaluara sistemin pluhurkapës, siç është rasti i Ferrokromit, ose më keq akoma kur ujërat e ndotur i derdhin në kanalet vaditëse të fshatit, siç është rasti i Uzinës së Përpunimit të nënprodukteve të Naftës. Ujëra këto, që më pas derdhen në lumin Shkumbin.

Prej shumë kohësh, Inspektoriati i Mjedisit ka qenë një institucion letargjik, i cili të gjithë përgjegjësinë ia faturonte Ministrisë së Mjedisit. Ndotja është aq evidente, sa edhe ky institucion është shkundur duke vënë gjoba për disa kompani që ndotin mjedisin.

“Katër nga këto subjekte që zhvillojnë aktivitet në këtë zonë kanë edhe masa administrative, një gjobë që në total shkon rreth 2.6 milionë lekë”, shprehet Enver Shkurti, kryeinpsketor i Mjedisit në Elbasan.

Prej disa mujash, Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka shpallur gjendjen e emergjencës mjedisore në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik, vendim ky që duhej të kishte vënë në lëvizje të gjitha institucionet e linjës për të marrë masa të menjëhershme.

Top Channel