Mbron tarifat amerikane, Trump sulmon edhe OBT-në

03/07/2018 13:46

Donald Trump po i kthehet tani Organizatës Botërore të Tregtisë. Shefi i Shtëpisë së Bardhë i mbrojti me forcë tarifat e reja amerikane, që shkaktuan zemëratën e partnerëve e tronditën bursat dhe, gjatë takimit me kryeministrin holandez Mark Rutte, jo vetëm nuk tregoi ndonjë shenjë pendese, por përkudrazi u hodh në sulm edhe ndaj OBT-së.

“Kjo organizatë i ka keqtrajtuar Shtetet e Bashkuara”, u shpreh ai. “Uroj që të ndryshojnë mënyrën e të menduarit e të vepruarit – shtoi presidenti amerikan, – sepse u bënë vite që dizavantazhohemi prej saj”.

Pas kësaj erdhi edhe paralajmërimi. “Nuk është se po planifikojmë ndonjë gjë tani, por po vazhduan kështu do ta mendojmë mirë këtë punë”.

Komentet e tij erdhën në kohën kur kanë nisur shenjat e para të pasojave, që politika amerikane do të ketë mbi tregtinë globale.

“Goldman Sachs” njoftoi se pjesa e dytë e vitit 2018 do të jetë e vështirë për investitorët prej rritjes së tarifave dhe normave të interesit.

Sondazhet e fundit mbi fabrikat amerikane tregojnë se, tarifat e reja po ndikojnë në rritjen e kostos së prodhuesve vendas, ndërsa janë duke e përkeqësuar nga ana tjetër ngadalësimin ekonomik të anëtarëve të Eurozonës.

“JP Morgan” po kështu paralajmëron se një luftë e plotë tregtare do t’i shkaktojë një gropë të madhe rritjes ekonomike botërore, për shkak të tkurrjes së vëllimit tregtar, problemeve në zinxhirin e furnizimit dhe humbjes së besimit.

Top Channel