Mbledhje qeverie me Malin e Zi. Kryeministrat: Të rrisim bashkëpunimin ekonomik

03/07/2018 10:20

Qeveritë e Shqipërisë dhe Malit të Zi zhvilluan sot në Shkodër mbledhjen e parë të dy qeverive. Dushko Markoviç dhe kabineti i tij qeveritar u pritën në një ceremoni zyrtare nga vetë kryeministri Edi Rama.

I zoti i shtëpisë, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, vlerësoi marrdhëniet e mira fqinjësore me Malin e Zi, ndërsa theksoi se mes dy vendeve synohet zhvillimi i projekteve që do të forcojnë edhe më tej lidhjet, kryesisht në sektorin e turizmit.

“Sot ne jemi më të ndërlidhur se asnjë herë më parë. Është koha t’i adresojmë potencialet, të shkëmbejmë eksperienca, të bashkojmë forcat. Jo vetëm një sukses për takimin. Zhvillim të turizmit, komunikim me investitorët, e kemi dëgjuar më shumë se një herë nga ana e tyre të zgjerojmë investimet, kapacitetet ekonomike, në mënyrë që të gjithë turistët që drejtohen drejt kësaj zone, duke patur si pikë referimi Malin e Zi, të zgjerojnë kufirin”, deklaroi Rama.

Ndërsa kryeministri malazez Markoviç ishte më i drejtpërdrejtë kur foli për bashkëpunimin ekonomik në terma konkretë: “Duhet të forcojmë marrëdhëniet mes dy vendeve. Jemi të detyruar të përdorim këtë rast. Jam i mendimit se qytetarët tanë meritojnë më shumë se qorrsokakët ballkanike. Do firmosim marrëveshje për intensifikimin e luftës ndaj krimit. Duhet të përpiqemi që të rrisim bashkëpunimin ekonomik, pasi ka potencial të lartë dhe këtë duhet ta përdorim. Hapësira gjeografike na ndihmon. Pas kësaj mbledhjeje duhet të mbahet një forum biznesi”.

Markoviçi i shprehu homologut shqiptar edhe mbështetjen e Malit të Zi në rrugën e integrimit Europian: “Dua të uroj Shqipërinë për vendimin e Bashkimit Europian për vendosjen e datës së çeljes së negociatave. Konfirmoj gadishmërinë e Malit të Zi dhe do të ofrojmë përvojën tonë. Për 6 vite që jemi në procesin e BE, Mali i Zi ka hapur 6 stade për negociatat dhe kemi mbyllur 2. Nuk duhet harruar se ne jemi pjesë e procesit të integrimit në BE, jo vetëm për të hyrë aty, por për të qenë pjesë e saj. Duhet të shohim përpara”.

Të dy palët vlerësuan rolin e shqiptarëve të Malit të Zi, për kontributin në zhvillimin e vendit dhe si faktor që kontribuon në procesin integrues.

Top Channel