Një organizatë polake, bamirësie, është gjendur përballë një fature telefoni të ekzagjeruar pasi një gjurmues GPS, që ajo kish vendosur mbi një lejlek, ishte vjedhur.

Në prill 2017, grupi ambientalist polak, Ekologiczna, vendosi një gjurmues GPS mbi një “kajtek”, lejlek i bardhë, për të mbledhur të dhëna në lidhje me trajektoren e migrimit të zogut, gjatë dimrit, si edhe mbi zakonet e tij të ushqimit.

Në vitin që pasoi, kajteku udhëtoi për rreth 6 mijë kilometra, por për të fundit herë u regjistrua më 26 prill në luginën e Nilit Blu, në jug të Sudanit. Në një postim në “Facebook”, grupi shpjegon se për arsye të pashpjegueshme, kajteku kishte qëndruar në zonë për më shumë se dy muaj, duke udhëtuar për 25 km në ditë, në drejtime të ndryshme.

Muajin e shkuar, EkoLogiczna, u surprizua me një faturë telefoni, të lidhur me kartën SIM që ishte instaluar në gjurmuesin GPS të lejlekut, me një shumë totale prej 2.278 eurosh.

“Dikush, thjeshtë e ka hequr kartën nga gjurmuesi, e ka vendosur në një telefon dhe e ka përdorur për më shumë se 20 orë komunikim”, tha grupi në postimin e tij. Sipas fondacionit EuroNatur, Polonia është qendra më e madhe e shpërndarjes së lejlekut të bardhë, dhe mban rreth 40 për qind të popullatës botërore të zogut.

Top Channel