Arta Marku hyn në Vetting. Kryeprokurorja nuk paraqitet. ONM: Keqardhje, mungesë lidershipi

03/07/2018 15:03

Prokurorja e Përgjithshme, zonja Arta Marku nuk u paraqit në seancën dëgjimore të Vetting-ut. Mungesa e saj zhgënjeu jo vetëm trupën e Vetting-ut, por edhe përfaqësuesin e ONM-së, Teo Jacobs. Ai e komentoi këtë situatë si mungesë lidershipi nga ana e zonjës Arta Marku, pasi, sipas tij, lidershpi përbëhet jo vetëm nga autoriteti, por edhe nga llogaridhënia.

Edhe pse është njeriu më i rëndësishëm i organit të akuzës, Arta Marku nuk pati forcë të dalë përballë Vetting-ut. Përveç avokates, Markun e përfaqësonin në sallë si publik i thjeshtë edhe tre nga njerëzit më të besuar të saj, Besnik Cami, Alketa Zifla dhe Denion Ndrenika.

Genta Tafa e cilësoi mungesën e Markut si mungesë prestigji, madje në një moment e thumboi kreun e akuzës, duke ju lutur medias që në mungesë të saj t’i tejçonin mesazhin. Edhe Teo Jacobs u shpreh i zhgënjyer dhe shtoi se kjo mungesë nuk është një shenjë e mirë.

Dy nga shtyllat e Vetting-ut, pasuria dhe figura dolën të pastra për Prokuroren e Përgjithshme. Nga kontrollet, Arta Marku rezulton zotëruese, me gjithë bashkëshortin, e dy apartamenteve, ka edhe një shtesë prej 9 metrash nën legalizim.

E ndërsa Arta Markun e ndajnë pak orë nga dhënia e vendimit, pikëpyetja më e madhe nuk është nëse Arta Marku do ta kalojë apo jo Vetting-un. Pikëpyetja është a është apo jo ajo e aftë numri një i akuzës si prokurore. Kjo pyetje ngrihet përsa kohë diskutimi në seancën dëgjimore u përqendrua pikërisht tek komponenti i tretë i Vetting-ut, që ka lidhje me aftësitë profesionale.

Në shtyllën e tretë të aftësive profesionale, trupa u ndal tek kërkesa ekstreme e arrestit me burg e kërkuar nga Arta Marku gjatë kohës që ishte prokurore në Shkodër. Shtetasi A.P. ishte arrestuar për drejtim në gjendje të parregullt të mjetit e për këtë arsye Marku kishte kërkuar dënimin me dy vjet burgim. KPK deklaroi se prokurorja nuk e kishte argumentuar këtë masë ekstreme, ndërsa e pavend u pa edhe nga vëzhguesi i huaj. Sipas tij, prokurorja duhet të mendohet dy herë kur kërkon arrest me burg, për aq sa edhe Gjykata e Lartë urdhëron caktimin e kësaj mase atëherë kur vepra është e rerzikshme.

Por mesazhi më i rëndësishëm iu dha Arta Markut nga vëzhguesi ndërkombëtar, i cili i thotë Arta Markut se duhet të përçojë frymë tolerante tek vartësit në lidhje me masat e sigurimit arrest me burg.

Për të ilustruar këtë pikëpamje, Teo Jacobs theksoi se 44% e të paraburgosurve janë me arrest me burg. Megjithëse zonja Marku mungonte, Teo Jacobs theksoi se përpara se të urdhëronte, Arta Marku duhet t’u tregojë vartësve se nuk kërkohet burg për çdo vepër.
Nga ana tjetër, KPK-ja kryqëzoi Arta Markun edhe për komandimet e urdhëruara prej saj që prej kohës kur ka marrë timonin e akuzës. Ne i kërkuam shpjegime Arta Markut, tha kryesuesja, por nuk na solli asnjë provë. I vetmi shpjegim i dorëzuar Vetting-ut ka qenë nga Prokuroria e Përgjithshme që i referohet ligjit. Por, në këtë pikë, sipas trupës, kryeprokurorja duhet të mos flinte gjumë, por të sistemonte këtë problematikë.

Sikurse frika e kryeprokurores për të dalë përballë, edhe avokatja e saj iu shmang medias, duke zgjedhur një derë dytësore.

Top Channel