Janë 4500 infermierë që janë larguar ose janë në proces ikje nga Shqipëria që prej fillimit të këtij viti.

Pas 18 vitesh pune, Silvana Belalla në muajin shkurt u shkarkua nga pozicioni i kryeinfermieres. Mendimi i parë që i erdhi në mendje ishte: “Direkt të iki nga QSUT për të gjetur veten në Gjermani”.

45-vjeçarja nisi të mësonte gjermanisht. Ka shumë arsye që e motivojnë për ta lënë vendin e saj. “Rroga 380 mijë lekë. Kam 2 fëmijë për të rritur, nuk e përballoj dot”, thotë infermierja.

Mësimi zhvillohet falas nga një kompani që shërben edhe si ndërmjetësuese për punësim të infermierëve në Gjermani. Një cikël studimi zgjat rreth 1 vit e gjysmë.

“Vijnë kompanitë gjermane këtu e bëjmë intervistën dhe më pas lidhim kontratën 2-vjeçare pune”, shprehet Silvana.

Aktualisht në qendër mësojnë gjermanisht 1000 infermierë. “Kam shoqe të miat kryeinfermiere, madje që duan të ikin”, tregon ajo.

45-vjeçarja është shumë e qartë në objektivin që i ka vënë vetes.

“Do gjej vetveten. Në Shqipëri u rrëzova, në Gjermani do të ngrihem”, thotë e vendosur Silvana.

Top Channel