Në dy muajt e fundit, sasi të konsiderueshme të mishit të importuar nga Brazili janë bllokuar. Këtë të martë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se u bllokua një ngarkesë prej 50.2 tonë mish, në dy konteinerë. Kjo ngarkesë është thuajse e njëjtë me atë të muajit maj, që u bllokua në Portin e Durrësit, që pas analizave rezultoi me salmonelë.

Mishi i importuar, sidomos ai nga Brazili, ka rezultuar disa herë brenda një kohe të shkurtër problematik, pasi nga kontrolle të ndryshme ka rezultuar i infektuar me salmonelë.

Brenda harkut kohor të dy muajve, në maj dhe në korrik, në Portin e Durrësit janë bllokuar dy ngarkesa me mbi 100 tonë mish të infektuar me salmonelë, të importuar nga Brazili.

Ministria e Bujqësisë dhe AKU nuk kanë dhënë një arsyetim për bllokimin e herëpashershëm të mishit nga i njëjti destinacion, ndërkohë që në më pak sesa një vit, së bashku me dy ngarkesat e fundit, AKU ka bllokuar gjithsej 130 tonë mish brazilian.

Importi i mishit nga Brazili, deri në shtatorin e vitit të kaluar ka qenë i bllokuar, për shkak se shpeshherë ngarkesa të ndryshme kanë rezultuar të infektuara me salmonelë. I njëjti fenomen vijon të ndodhe edhe pas shtatorit, kur mishi nga ky vend rifilloi të hyjë në tregun tonë dhe emrat e subjekteve, të cilëve u janë bllokuar konteinerët me mish të infektuar me salmonelë, nuk janë bërë publike.

Në të gjitha rastet kur është bllokuar mish i infektuar me salmonelë, sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe AKU-së, produkti është kthyer në vendet e origjinës.

Konsumatori shqiptar është më i rrezikuar nga mishi i pulës, që rezulton të jetë lloji i mishit më problematik në ngarkesat e bllokuara nga AKU-ja dhe lloji i mishit më shumë i importuar nga Brazili. Sipas INSTAT-it, Shqipëria importon nga Brazili mbi 4.000 tonë mish pule në vit.

Top Channel