Turizëm në bunkerët gjermanë; Fermeri i Dermenasit kthehet në ciceron

02/07/2018 20:33

Rrugës për në parkun arkeologjik të Apolonisë prej vitesh ndalen ndër të tjerë edhe turistë gjermanë. Ata vizitojnë këtë bunker të ndërtuar gjatë luftës së dytë botërore nga paraardhësit e tyre.

55 vjet pas përfundimit të luftës, rastësia historike i ktheu këta bunkerë që dikur strehonin artilerinë e rëndë në një ndalesë turistike në fshatin Dermenas.

Prej vitit 2000 në tokat e Xhemal Arapit ndalen shumë të huaj ndaj shpesh 77-vjeçarit i duhet të braktis kazmën dhe të bëjë ciceronin.

“Këta e ka hedhur në hartë edhe drejtoria e Tiranës, kur zbresin nga autobusi janë 60 veta, bëjnë foto të bunkerit”, shprehet Arapi.

Në sipërfaqen prej 2 ha toke, Xhemali përfitoi gjithsej 18 bunkere nga të cilët i kanë mbetur vetëm dy. Të tjerët u prishën para se t’i zbulonin turistët.

“Nuk kam marrë asnjë mbështetje nga ana e shtetit, vetëm më kanë thënë që të mos prishen”, tregon Xhemal Arapi.

Por sot ndonëse nuk ka asnjë përfitim ekonomik, 77 vjeçari thotë se nuk lodhet dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë punë deri sa të jetë gjallë.

Top Channel