Nga mbetjet plastike, të cilat më pas përfundojnë në det, nuk vuan vetëm Shqipëria. Kjo ndodh në të gjithë botën, ku miliona tonë plastikë përfundojnë në det e oqeane çdo vit.
Fillimisht ato hidhen në tokë ose lumenj, me apo pa dashje, dhe prej aty përfundojnë më pas në det, nga Arktiku deri në Antarktik.
Këtë e tregon harta e ofruar nga një grup shkencëtarësh të “Newcastle University”, sipas të cilëve rrymat e oqeaneve mbajnë mbeturina lundruese edhe nga qoshet më të largëta të botës.
Rrymat në të kuqe tregojnë qarkullimin gjatë të gjithë vitit të mbetjeve plastike, të çfarëdolloj forme, ndërsa rrymat e verdha tregojnë mënyrën sesi ato lëvizin nga brigjet.
Sipas hartës, Shqipëria ka mbi 5 tonë mbetje plastike për milje/katror në brigjet e saj, e po njësoj alarmante janë shifrat për ndotjen plastike në tokë, ku përllogariten më shumë se 10 mijë tonë mbetje plastike të pamenaxhuara.
Në mbarë botën, sipas studimit, në një minutë blihen një milionë shishe plastike, ndërsa në vit njerëzit përdorin 500 trilionë qese plastike njëpërdorimshme. Pikërisht këtu fillon problemi. Gjysma e të gjitha prodhimeve plastike prodhohet për t’u përdorur vetëm një herë, e më pas hidhen, pa menduar për gjurmët që lënë në mjedis.
Në Shqipëri, qeset plastike ndalohet të përdoren prej dy ditësh tashmë dhe për të parë rezultate konkrete është ende herët, por menaxhimi dhe zhdukja e mbetjeve plastike është pjesë e strategjisë afatgjate dhe objektivave 2030 të OKB-së.
Sipas statistikave, Shqipëria rezulton një ndër vendet me ndotjen më të lartë të mbetjeve plastike në Europë, e sipas Eurostat, gjatë vitit 2016 çdo shqiptar ka prodhuar 396 kg mbetje, prej të cilave 39.6 kg janë plastike, shumë larg mesatares së një qytetari të BE-së, prej 31 kg.
Top Channel