Mjekët e urgjencës kirurgjikale pranë QSUT thonë se zhvendosja e ndërhyrjeve çdo të mërkurë në ish-Sanatorium do të ulë sado pak ngarkesën që kanë mjekët e QSUT, si dhe do të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.

Në një ditë paraqiten 180 raste urgjente në QSUT nga të cilët 13 i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, pa llogaritur operacionet e planifikuara.

“Qëllimi ynë është rritja e cilësisë së shërbimit ndaj pacientit. Sa më i madh të jetë numri i konsultave, aq më shumë bie cilësia”, shprehet, Myzafer Keçi, shef i pavionit të urgjencës kirurgjikale.

Por jo të gjitha urgjencat do të zhvendosen të mërkurave në spitalin “Shefqet Ndroqi ” pasi rastet shumë të rënda do të kryhen ndërhyrje në QSUT.

“Rastet që edhe presin mund t’i çojmë atje, ndërsa rastet e rënda nuk mund t’i transferojmë pasi mund t’i dëmtojmë”, thotë Keçi.

Nëse do të sëmureni ditë të mërkure, duke nisur nga kjo javë, duhet të telefoni në numrin 127, nga ku do të orientoheni në cilin spital do të duhet të shkoni kur bëhet fjalë për urgjncë. Ata që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale si apandesit ,hernie e të tjera do t’i kryejnë ato në Qendrën Spitalore Universitare “Shefqet Ndroqi”, apo siç njihet ndryshe ish-Sanatoriumi.

Top Channel