Ka mjaftuar vetëm një foto e publikuar në rrjetin social, shumë pak rreshta të një komunikate dhe kampionati më i fortë i basketbollit në botë nis kështu një epokë të re. LeBron James është nga sot një lojtar i Los Angeles Lakers.
“Katë herë lojtari më i vlefshëm i sezonit të rregullt, tri herë MVP i finaleve, 14 herë pjesëmarrës në ndeshjet ‘All Star Game’ dhe dy herë medalist i artë olimpik, LeBron i bashkohet me një kontratë 4-vjeçare prej 154 milionë dollarësh Los Angeles Lakers”.
Vetëm kaq shkruante kompania “Klutch Sports Group” në llogarinë e saj zyrtare, një komunikatë që është e destinuar të bëhet e famshme, po aq sa ajo “I’m back”, me të cilën Michael Jordan njoftoi në vitin 1995 rikthimin, pas një kohe të shkurtër në bejzboll.
Me zgjedhjen e tij të fundit, “Mbreti” James sposton kështu ekuilibrat e NBA-së. Për herë të parë në karrierën e tij do të luajë në Konferencën e Perëndimit, e cila edhe deri më tani ishte e tejmbushur me talente, si dhe do të sfidojë Golden State Warriors, ndaj të cilëve ka humbur 3 nga 4 finalet e fundit.
LeBron e ka thënë gjithnjë se prioritetet e tij do të mbeteshin familja dhe mundësia për të fituar një titull të ri. Për familjen e tij, Los Angeles është zgjidhja perfekte. Ata zotërojnë dy shtëpi në Brentëood, një prej periferive më të zëshme të qytetit të “engjëjve” ku qëndrojnë shpesh gjatë verës. Fëmijët, LeBron Jr. dhe Bryce janë regjistruar prej qershorit në një shkollë, për të cilën ka financuar një pjesë edhe vet “Mbreti”, ndërkohë që “Hollyëood”-i dhe mundësitë e pafundme që të ofron ai, duken të gatshëm ta mirëpresin yllin e ri në qytet.
E thënë shkurt, nëse Ohio është shtëpia e tij, Los Angeles mund të quhet pa frikë “shtëpia e dytë” e familjes James.
Ndërkohë, luftën për titull LeBron duhet ta fitojë. Lakersat rikthehen fuqishëm mes të mëdhave të NBA-së bashkë me të, por ende nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë për t’u bërë një skuadër e fuqishme siç ishte Miami në vitin 2010, që ia bënte edhe më të lehta zgjedhjet LeBronit.
Magic Johnson, i cili ka premtuar se do të dorëhiqet nëse nuk ia arrin t’i nxjerrë Lakersat nga “anonimati” ku ndodhen prej vitesh, mes kësaj vere e deri në verën e ardhshme, humbi Paul George dhe po ndjek, duket më kot, Kawhi Leonard, sigurisht për ta bërë edhe njëherë fenomenal ekipin e Lakersave. Por, për momentin kanë marrë vetëm shërbimet e Kentavious Caldëell-Pope, Lance Stephenson e JaVale McGee.
Top Channel