Për tre orë gjyqtari Artan Lazaj, anëtar për në Këshillin e Larte gjyqësor rrëzoi gjetjet e komisionit të pavarur të kualifikimit që sipas tij bazohen në mos marrjen në konsideratë të provave të dorëzuara prej tij gjatë komunikimit me vettingun.
KPK deklaroi se sipas ILDKPI gjyqtari Lazaj kishte kryer deklarim të rremë të pasurive, për të cilat rezulton se ai posedon sipas një kontrate sipërmarrjeje vetëm një apartament në kryeqytet, me sipërfaqe 159 metra katrore.
“Unë kam vetëm një pasuri, – theksoi gjyqtari, – edhe këtë shtëpi ende nuk e kam timen, e vetmja gjë që kam është një truall shkëmbor”.
Gjyqtari Artan Lazaj deklaroi se organet e vettingut nuk kishin llogaritur punën e tij në drejtësi për 10 vite, përderisa ai ka filluar punë në gjyqësor në vitin 1994. Duke i kujtuar KPK se e kishin bërë pronar edhe të një shtëpie në Bulqizë, e cila në fakt është shtëpia e fëmijërisë së bashkëshortes disa vite përpara se ai ta njihte.
“Ju më llogarisni makinën, të cilën e mora gjate kohës që isha anëtar i KQZ, – deklaroi gjyqtari Laze, – dhe më pyesni pse e shita 5 mijë euro. Por e vërteta është se edhe sot në website ky automjet kushton 4800 dollarë, sepse ajo është makine e blinduar si ato që ju kane vendosur juve në dispozicion”.
Më tej gjyqtari tregoi se edhe kërkesat e herëpashershme të tij ishin për t’i treguar organeve të vettingut që të respektojnë standardet, sepse sipas tij nuk kanë lexuar asnjë nga provat e dorëzuara duke deformuar të dhënat.
Kam dhënë dënime të përjetshme theksoi gjyqtari Lazaj dhe shumë prej tyre nuk janë arrestuar ende, nëse qëllimi juaj është me hidhni si pre tek kriminelet, atëherë nuk kam c’tju them, bëjeni. Përpos kërkesës për t’u konfirmuar në detyrë gjyqtari bëri apel mos t’ia ndërpresin ëndrrën për drejtësi
Seanca ndaj Lazajt zgjati më tepër se çdo proces dëgjimor para tij. Vendimi do të shpallet në datën 11 korrik.
Top Channel