Shishtaveci si destinacion turistik; Investime në fshat, por ka një sërë problemesh

01/07/2018 12:18

Shishtaveci që shtrihet në lartësinë e 1500 metrave në trekëndëshin kufitar Shqipëri-Kosovë-Maqedoni është ende shumë larg për ta merituar emërtimin fshat turistik.

Investimet që kanë tjetërsua gjithë infrastrukturën e fshatit, nuk kanë zgjidhur problemin e mbetjeve. Pirgje me mbeturina të krijuara në hyrje të fshatit e plehrat e bagëtive në rrugët e brendshme po kthehen në rrezik serioz jo vetëm për shëndetin e banoreve, por edhe për zhvillimin e turizmit. Banorët fajësojnë veten, por edhe Bashkinë Kukës për gjendjen e krijuar.

Përballë kësaj situate Kryetari i Bashkisë Bashkim Shehu, përmes një thirrje të hapur i është drejtuar banorëve që të jenë me bashkëpunues për zhvillimin e zonës.

Shishtaveci është në hartën e destinacioneve që presin vizitorë, ndaj turizmi vlerësohet si prioritet për zhvillimin e kësaj zone, nga grykëderdhja e Vanave deri në Kallabak.

Këtu janë investuar rreth 2 milionë euro për infrastrukturën e fshatit, rrugën lidhëse me Doganën dhe rrugën Kukës-Shishtavec, që dita-ditës po bëhet e paqarkullueshme dhe rrezikshme për automjetet për shkak të dëmtimeve të shumta dhe rënies së gurëve apo shkëmbinjve.

Top Channel