Mirush Kabashi i është rikthyer në Gjirokastër edhe njëherë rolit të Sokratit. Një realizim i shkëlqyer i monodramës së Kostas Varnalis.

Apologjia, një monolog i gjatë filozofik dhe politik, ka dëshmuar se sjell mesazhe shumë aktuale për mbrojtjen e demokracisë.

Mirush Kabashi debutoi në skenën e Odeonit natyror të Gjirokastrës, që ishte plot me spektatorë. Vet aktori tha se emocionet ishin të papërshkrueshme.

Sokrati u detyrua të pijë kupën e helmit në moshën 70-vjeçare, pas një jete në shërbim të lirisë së mendimit dhe drejtësisë për qytetarët.

“Unë – tha Kabashi, – sot 70-vjeçar e ndiej më pranë rolin e Sokratit”.

“Nuk e pandehja kurrë që do të ishte një surprizë e tillë, që unë sot të kisha mbi 1.500 spektatorë që kishin mbushur komplet sallën dhe do ta ndiqnin sikur nuk pipëtinte asnjë mizë. Si artist jam tej mase i emocionuar, ndërsa si qytetar kam një keqardhje që mesazhet e Sokratit, ashtu si në ’97-n, janë po kaq aktuale edhe sot”, thotë Mirush Kabashi.

Sokrati, i cili kurrsesi nuk ka frikë të vdesë, dëshiron që arsyeja e ekzekutimit të tij të kuptohet qartë nga qytetarët. Ai iu drejtohet atyre me fjalët: Ata kërkojnë që me zhdukjen time të mbrojnë moralin që po lëkundet në shpirtrat tuaj.

Ndërsa fraza përmbyllëse e monodramës tregon zgjidhjen, që është sa filozofike, aq edhe politike. Mesazhi i fundit i Sokratit nga viti i largët 416 p.e.s, por që u ka rezistuar të gjitha periudhave, rrëfen se shoqërinë do ta shpëtojnë “të urtët, të talentuarit dhe të ndershmit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA