PD: Vrasje e tipit mafioz me silenciator. Xhafaj të japë dorëheqjen

30/06/2018 18:10

Partia Demokratike reagoi me një deklaratë për atë që e quan “vrasje të shoferit të ministrit të Brendshëm”.

Sot, thuhet në deklaratë, Garda e Republikës, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme fshehën ngjarjen e rëndë të ndodhur brenda Gardës së Republikës. Që prej fillimit pati përpjekje për të manipuluar këtë ngjarje, nga më të rëndat që implikon drejtpërsëdrejti ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Sipas PD-së, policia private e Fatmir Xhafës po bën çdo përpjekje që ajo të duket si një vetëvrasje me 3 plumba.

“Kjo ngjarje është një vrasje mafioze, ndoshta edhe më e rrezikshme sesa vrasja e shoferit të familjes së Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku në mes te bulevardit në vitin 2003”, lexohet në deklaratë.

Fakti se nuk janë dëgjuar krisma, sipas PD-së, tregon se vrasja është e tipit mafioz, e kryer me
silenciator.

“Me një polici që e kontrollon vetë, me një Prokurori plotësisht nën urdhrat e tij, Fatmir Xhafaj duhet të japë menjëherë dorëheqjen”, përfundon deklarata e Partisë Demokratike.

Top Channel