U ndieva njësoj si të kisha humbur kodin PIN. E pashë larvën, pa ditur të them se si quhet ai lloj. Nuk besoj se po më lë fuqia mendore. Kam ende kujtesë të fortë për fakte e shifra, dhe arrij të fiksoj përmendësh tekste të gjata. Kjo humbje është më specifike. Kur isha i vogël dhe më vonë, në rini, e kisha kënaqësi që dija të identifikoja pothuajse çdo gjallesë e çdo bimë që shihja rrotull. Kjo aftësi është zhdukur. Është harruar për shkak të mospërdorimit. Nuk i identifikoj dot më, sepse nuk i gjej gjëkundi.

Ndoshta kjo harresë është një lloj sistemi mbrojtës. Kam qenë duke e larguar nga sytë, sepse nuk duroj dot të shoh se çfarë i kemi bërë natyrës. Nuk e shoh më natyrën vetë, sepse shpejtësia me të cilën po e humbasim është e padurueshme. Shkatërrimi mund të shihet vit pas viti. Rënia e shpejtë, me 25% në pesë vite, duket edhe nga zhdukja e cicërimave e zogjve të egër që mbushnin qiellin sipër shtëpisë sime, deri pak vite më parë.  Ambicia ime e dikurshme për të parë kolonitë e zogjve detarë në Shetland dhe St Kilda është zëvendësuar nga premtimi që të mos shkel më në ato ishuj gjatë sezonit të çiftëzimit. Nuk duroj të shoh shkëmbinjtë e zbrazur, ku popullata e zogjve ka rënë me 90% në dy dhjetëvjeçarët e fundit.

Kam jetuar aq gjatë sa të dëshmoj zhdukjen e kafshëve të egra, fluturave, zogjve dhe peshqve të ndryshëm, për të cilët dikur trembesha se mos nipërit e mi nuk do të arrinin t’i shihnin dot. Por ndodhi më shpejt se ç’e kishin parashikuar edhe më pesimistët. Të ecësh në fshat e të zhytesh në det, tani është po aq e dhimbshme sa një dashamirës arti që futet në një ekspozitë dhe sheh se si veprat e mjeshtrave të lashtë janë grisur nga kornizat.

Arsyeja e këtij përshpejtimi të zhdukjes nuk është aspak mister. OKB ka raportuar se përdorimi i burimeve natyrore është trefishuar në 40 vitet e fundit. Shtimi i minierave, prerjes së drurëve, prodhimit të mishit dhe peshkimit industrial e ka pastruar planetin nga mrekullitë natyrore me kafshë të egra. Ajo që quhet zhvillim nga ekonomistët, është shkatërrim për ekologjistët.

Kjo ka bërë që të katërfishohen zonat e vdekura oqeanike që nga viti 1950. Shkatërrimi biologjik, që pasqyrohet më fort te zhdukja e popullatës së vertebrorëve, nxitmi për të prerë edhe pyjet e fundit që kanë mbetur, zhdukja e shkëmbinjve koralorë, akullnajave; zvogëlimi i liqeneve, tharja e moçaleve. Bota e gjallë po vdes për shkak të konsumit.

Ne kemi një dobësi fatale, paaftësinë për të perceptuar ndryshimet që rriten me ngadalë. Kur sistemet natyrore ndryshojnë faqe, ne e harrojmë pothuajse menjëherë se çfarë kemi humbur. Duhet të përpiqem fort tani që të mbaj mend se çfarë kam parë në rini. Të jetë e vërtetë që në atë kohë, çdo tufë me hithra ishte bërë me vrima në gjethe në këtë kohë të vitit, të shkaktuara nga larvat e shumta? Që kishte aq shumë njerëz të pasionuar pas mbledhjes së insekteve, sa s’u kushtoja rëndësi? Që lumenjtë nxinin nga ngjalat gjatë ekuinoksit të vjeshtës?

Të tjerë duket se e harrojnë. Kur kritikoj praktikat që përdoren sot, fermerët më dërgojnë pamje nga arat që kanë mbledhur me bimë të gjelbra, dhe i shoqërojnë me mesazhin: “Shikoje e më thuaj që nuk kujdesemi për natyrën”. Është pamje e gjelbër, por pasurinë ekologjike e ka po aq të vlefshme sa një pistë aeroporti.

Një lexues, Michael Groves, ka regjistruar ndryshimin që ka parë në fushën përpara shtëpisë, ku bari që priste për kashtë tani pritet për silazh. Teksa shihte makineritë që prisnin barin me shpejtësi në fushë, ai kuptoi se gjallesat e mbetura do të ishin shkërmoqur. Pak më vonë pa një drenushë që qëndronte sipër barit të kositur. Drenusha qëndroi aty gjatë ditës, deri natën tjetër. Kur u kthye të shihte se pse nuk po largohej, pa që  kaprolli i drenushës ishte i shtrirë në bar, me këmbët e prera. “U ndieva i neveritur, i zemëruar dhe i pafuqishëm. Kushedi pas sa kohësh kishte ngordhur.”, tha ai. Kur ato restorantet mburren se mishi që gatuajnë vjen nga kafshë të ushqyera me bar, realiteti është ky.

Kur na fshihet kujtimi për diçka, nuk kërkojmë më që të rikthehet. Harresa jonë është dhuratë për industrialistët dhe qeveritarët që u shërbejnë. Muajt e fundit më kanë thënë shpesh se sekretari i mjedisit, Michael Gove, e kupton situatën. Kështu mendova dhe unë. Dukej se e kuptonte me të vërtetë se cilat ishin problemet dhe se çfarë duhej bërë. Fatkeqësisht, nuk e kupton.

Gove nuk mund të fajësohet për të gjitha dështimet ku ka vënë emrin e vet. Plani 25 vjeçar për natyrën duket se ishte rrëzuar nga zyra e kryeministrisë. Njësisë policore që do të mbronte mjedisin, që e kishte propozuar, ia shkulën dhëmbët ata të Financave (edhe pse më pas iu dhanë dhëmbë hua nga parlamenti.) Ndërsa dështimet e tjera janë vepër e tij. Si përgjigje ndaj fermerëve të deleve, Gove ka lejuar që të vriten korbat,  një specie inteligjente dhe jetëgjatë, që kishin marrë më në fund veten nga disa shekuj persekutimesh, sepse bënin që t’u ngordhnin qengjat. Në të gjithë vendin ka 23 milionë dele dhe 7400 çifte korbësh. Pse duhet t’i dorëzohen të gjitha speciet murtajës së bardhë?

Për t’iu përgjigjur ankesave se shumica e parqeve natyrore janë të braktisura nga jeta e egër, Gove ngriti një komision që t’i shqyrtonte. Por qeveria e dha përfundimin që në fillim, që me takimin e parë. Vështirë të gjenin një komision më pak frymëzues e më të prapambetur në dukje se ky. Asnjë prej anëtarëve nuk ka shprehur dëshirën për të sjellë ndryshime domethënëse në parqet kombëtare, dhe shumica prej tyre, nëse mund t’u merren parasysh deklaratat e mëparshme, janë të vendosur që t’i lënë në atë gjendje të shkatërruar e të vajtueshme.

Pas Brexit, lobuesit po kërkojnë një vend në Zelandën e Re për të ngritur ferma. Një vend ku nuk ka rregullime ligjore e ku mund ta dëmtojnë jetën e egër dhe larg syrit të njeriut. Nëse ia dalin, asnjë peizazh, sado i mbrojtur, nuk ka për të shpëtuar nga pularitë e nga stallat e bagëtive për baxho. Asnjë lumë nuk do të jetë i mbrojtur nga mbetjet. Asnjë këngë zogu nuk do t’i shpëtojë zhdukjes. Shkrirja midis Bayer dhe Monsanto sjell bashkimin e prodhuesit të pesticidit më vdekjeprurës në botë, me prodhuesin e herbicidit më vdekjeprurës në botë. Fuqia e përqendruar e këtyre gjigantëve është një rrezik për demokracinë. Së bashku ata kërcënojnë të sjellin katastrofa ekologjike dhe politike. Ekipi i Laburistëve për mjedisin nuk vendos dot gjë. Grupet konservatore, po njësoj, janë zhdukur dhe nuk veprojnë.

Po harrojmë edhe historitë tona. Harrojmë që Raporti Dauer i vitit 1945 planifikonte parqe kombëtare më të zgjeruar e me më shumë gjallesa se tani. Dhe shpjegimi ligjor që bëri qeveria në vitin 1947 kërkonte që të zbatohej një mbrojtje në shkallë të gjerë e parqeve, në një shkallë që do të quhej risi edhe sot. Të kujtosh është veprim radikal.

Larva që pashë, meqë ra fjala, ishte “flutur burnet me gjashtë pika”, larva e një fluture të bukur, me krahë të zinj e pika të kuqe, që dikur i shihje gjithandej në lagjen time. Nuk do ta lejoj më veten t’i harroj. Do të punoj që të rikthej njohurinë e humbur. Sepse tani e kuptoj që me fuqinë e kujtesës mund të arrijmë të mbrojmë botën që duam.

George Monbiot, the Guardian

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA